
Deputeti i Partisë Demokratike në Shqipëri, Bardh Spahia, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama lidhur me debatin e fundit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Spahia e ka kritikuar ashpër formulimin e Ramës se “Serbia e humbi Kosovën”, duke e cilësuar atë si shtrembërim të historisë.
“Të thuash ‘Serbia e humbi Kosovën’ nuk është një lojë fjalësh apo një lapsus politik, por një shtrembërim dashakeq e thellësisht i rrezikshëm i historisë dhe një ofendim ndaj gjakut të derdhur”, ka shkruar Spahia.
Sipas tij, Kosova nuk mund të trajtohet si një territor që Serbia e ka humbur.
“Një shtet mund të humbasë vetëm atë që i përket me të drejtë. Kosova nuk ka qenë kurrë pronë e Serbisë që ajo ‘ta humbte’”, ka deklaruar ai.
Spahia ka thënë se Kosova ka qenë “historikisht zemra e Dardanisë”, duke e përshkruar periudhën e sundimit serb si kohë të karakterizuar nga “terror shtetëror, spastrime etnike dhe gjenocid”.
Ai e ka kritikuar Ramën edhe për mënyrën se si e ka përshkruar çështjen e Kosovës.
“Nuk kemi të bëjmë me një ‘humbje’ të Beogradit, siç shprehet argati vëlla i Vuçiç dhe mjerisht kryeministër i Shqipërisë, Edi Rama”, ka shkruar Spahia.
Sipas tij, ajo që ka ndodhur me Kosovën duhet të përkufizohet si fitore e lirisë.
“Kosova fitoi lirinë! Ajo çfarë ndodhi ishte rikthimi i një të drejte natyrore e hyjnore që shqiptarëve u ishte mohuar me dhunë”, ka theksuar ai.
Në fund, Spahia ka thënë se trajtimi i Kosovës si territor që “i rrëshqiti nga duart Serbisë” i shërben, sipas tij, narrativës antishqiptare.
“Liria e një populli nuk përkufizohet kurrë si ‘humbje’ e opresorit, por si fitore e të shtypurit”, ka përfunduar deputeti i PD-së.