Taksa ndaj produkteve të Serbisë vazhdon të mbetët ndër temat më të diskutuara në vend dhe jo vetëm.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, pret që kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj të pezullojë taksën ndaj Serbisë.
Ai ka thënë se Haradinaj nuk do të lejojë prishjen e raporteve me Amerikën, dhe si rezultat do ta pezullojë vendimin për taksën.
“Unë besoj shumë që zoti Hardinaj do të reflektojë dhe nuk do të lejojë që të prishen raportet me SHBA-në. Një reflektim të tillë e ka pasur edhe me rastin e Demarkacionit. Haradinaj është racional dhe është person që e ka në rend të parë interesin e vendit”, ka thënë Haxhiu në RTK 3.
Sipas tij, taksa ka arritur efektin e vet, dhe tash e tutje duhet t’i hapet rruga dialogut.
“Në periudhën kur është vendosë taksa e ka pasur efektin e saj të plotë. Tani për t’i hapur rrugë procesit të dialogut taksa pezullohet me kushte, nëse nuk ka reflektim nga Serbia, taksa rikthehet prapë, sepse kështu e shohim interesin për shtetin, për të ruajtur raportet me SHBA-në dhe me BE-në”, ka thënë Haxhiu.
Ai është shprehur se Kosova nuk duhet të ketë frikë nga dialogu me Serbinë.
“Nuk kemi pse të frikësohemi nga dialogu me Serbinë, kur në krahun tonë janë partnerët tanë, me të cilët e kemi arritur lirinë dhe kemi dalur fitues. Ne kemi nevojë që të përfundojnë çështjet e hapura me Serbinë. Deputetët në Kuvend nuk jemi për të votuar marrëveshje kundër interesit të Kosovës”, përfundoi Bekim Haxhiu.