Ramush Haradinaj ka emëruar sot shefin e ri të AKI-së dhe Inspektorin e Përgjithshëm të AKI-së. Ky emërim po cilësohet politik.
Njëri nga anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje, i cili ka marrë votat e mjaftueshme për deputet, Mefail Bajqinovci, ka reaguar pas vendimit të kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinaj, për emërimin e Kreshnik Gashit në postin e drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, ndërsa Burim Ramadanin në postin e Inspektorit të Përgjithshëm të AKI-së.
Ai ka akuzuar dy partitë që kanë qeverisur bashkë në mandatin e kaluar, PDK-në dhe AAK-në, se kanë kapur “brutalisht institucionet e sigurisë”.
“PDK dhe AAK i kapin brutalisht dy institucionet e sigurisë siç janë AKI dhe Inspektorati i AKI-së duke i emëruar eksponentët e vet në pozita kyçe. Ish-sekretari i MPJ-së Kreshnik Gashi, në kohën kur Hashim Thaçi ishte ministër i Jashtëm, u emërua drejtor i AKI-së. Burim Ramadani, zyrtar i AAK-së, emërohet Kryeinspektor i AKI-se. Kapja e institucioneve me njerëz partiakë po vazhdon. Këto vendime do të zhvlerësohen me ardhjen e qeverisë Kurti. BOLL MA”, ka thënë ai.
Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, në bazë të kompetencave kushtetuese dhe ligjore dhe në bashkërendim me presidentin Hashim Thaçi, sot ka emëruar Kreshnik Gashin në postin e drejtorit të AKI-së, ndërsa Burim Ramadanin në postin e Inspektorit të Përgjithshëm të AKI-së.
Haradinaj ka shkruar në Facebook se profilet e të emëruarve, si figura publike me integritet dhe ekspertë për siguri, garantojnë profesionalizmin dhe kredibilitetin e AKI-së.