Deputeti i VV-së: Është rritur ekonomia, është ulur papunësia, Qeveria “Kurti” ka punuar më së shumti

16:25 | 18 Shtator 2024
deputeti-i-vv-se:-eshte-rritur-ekonomia,-eshte-ulur-papunesia,-qeveria-“kurti”-ka-punuar-me-se-shumti


Deputeti i VV-së, Gramos  Agusholli, është deklaruar për FrontOnline lidhur me statistikat e papunësisë që i ka prezantuar VV-ja dhe është shprehur se diferencat në statistikat e papunësisë  mes postimit të Lëvizjes Vetëvendosje dhe atyre të ASK-së, mund të pasqyrojnë ndryshime në metodologjinë e matjes, apo në interpretimin e sektorëve formal dhe in formal të ekonomisë. Ai nënvizoi se, sipas të dhënave zyrtare, mbi 20 mijë qytetarë janë punësuar falë masave të ndërmarra nga Qeveria.

“Unë mendoj se diferenca mes këtyre shifrave mund të jetë për shkak të ndryshimeve në metodologjinë e përdorur për matjen e papunësisë ose interpretimit të sektorit formal dhe in formal të ekonomisë. Duke dashur të qëndroj objektiv, është fakt se sipas të dhënave zyrtare, mbi 20 mijë qytetarë janë punësuar falë masave të ndërmarra nga Qeveria, si iniciativa Superpuna, mbështetja financiare për punësimin e grave, përkrahja për të rinjtë, dhe subvencionet e shumta “, tha Agusholli.

Agusholli gjithsesi tha se ka ende nevojë për përmirësime për të adresuar sfidat e emigrimit të të rinjve dhe pagave të ulëta. Ai vlerësoi se, përkundër këtyre sfidave, Qeveria ka arritur rezultate të dukshme në rritjen e punësimit dhe përmirësimin e situatës ekonomike dhe u shpreh se  është punuar më shumë se në qeveritë e kaluara

“Megjithatë, mbetet pyetja: A janë këto shifra të mjaftueshme dhe a mund të ishte bërë më shumë? Natyrisht që po. Por me sfidat me të cilat është përballur vendi ynë, si emigrimin e të rinjve dhe pagat e ulëta, konsideroj se është punuar më shumë se në qeveritë e kaluara”, përfundoi Agusholli.

Komento:
Lajme të tjera