Deputeti i VV-së në emër të Qeverisë së Kosovës: Në asnjë rast nuk i kemi kushtëzuar zgjedhjet në veri

08:19 | 01 Gusht 2023
deputeti-i-vv-se-ne-emer-te-qeverise-se-kosoves:-ne-asnje-rast-nuk-i-kemi-kushtezuar-zgjedhjet-ne-veri

Përfaqësues të partisë në pushtet thonë se qeveria e Kosovës është e gatshme të iu përmbahet të gjitha marrëveshjeve për të arrituar në një deeskalim të situatës në veri. Ndërkohë, përfaqësues të Bashkimit Evropian thonë se qeveria e Kosovës është e obliguar që t’i shpallë sa më shpejtë zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore.

Ndonëse, Lëvizja Vetëvendosje po insiston në heqjen e masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian për të shpallur më pas zgjedhjet e reja në veri, deputeti i kësaj partie, Enver Dugolli thotë se qeveria e Kosovës në asnjë moment nuk i ka kushtëzuar këto zgjedhje. Ai fajëson palën serbe për refuzim të bashkëpunimit në shtensionim të situatës.

“Duhet të ceket se qeveria e Kosovës është konstruktive, e përgjegjshme në të gjitha marrëveshjet dhe është e gatshme që të iu përmbahet. Pala serbe deri tani ka tregu që dëshiron destabilitet, dëshiron që marrëveshjet të mos respektohen. Andaj BE-ja këtë radhë duhet të gjejë metoda që ta bind palën serbë që të mos jetë kaq destruktive. Në zgjedhjet e RKS, Serbia nuk mund të kushtëzojë, ajo duhet që të disciplinohet dhe t’i tërhiqet vërejtja seriozisht nga BE dhe Bashkësia Ndërkombëtare. Ne nuk kushtëzojmë, ne vetëm po duam që të iu përmbahemi atyre që kemi bisedu pra zëvendës kryeministri me emisarin Lajcak”, tha Dugolli për rtv21.

Bashkimi Evropian përsëriti shqetësimet për tensionet në veri të Kosovës, duke u bërë thirrje të dy palëve që ta kthejnë qetësinë në veri. Brukseli zyrtar po ashtu kërkoi shalljen sa më të shpejtë të zgjedhjeve për katër komunat në veri.

Komento: