
Anëtarët e VV-së kanë reaguar pas deklaratave të fundit të Hashim Thaçit.
Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ka thënë se Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, nuk ka të drejtë të përcaktojë afat 48 orësh ose 72 orësh.
Ky reagim vjen pas takimit të sotëm që u zhvillua ndërmjet Presidentit Hashim Thaçi dhe Kryetarit të VV-së Albin Kurtit në Presidencë që zgjati katër minuta.
Sipas Bajqinovcit, ashtu sikurse nuk kishte të drejtë kushtetuese Thaçi të drejtonte dialogun me Serbinë, të cilën gjë Gjykata Kushtetuese në mënyrë implicite e vërtetoi duke dhënë interpretim se një gjë e tillë, është pjesë e kompetencave të Qeverisë, përsëri, kemi tejkalim të kompetencave nga ana këtij njeriu.
“Presidenti nuk mund të ushtrojë kurrfarë presioni as pushteti mbi palët në këtë rast. Ai vepron vetëm pasi fituesi i zgjedhjeve të jetë shprehur zyrtarisht për emrin e kandidatit për kryeministër. Pa këtë shprehje (shkresë zyrtare), ai nuk ka se kë ta mandatojë, në të kundërtën kryen shkelje të rëndë të kushtetutës dhe rendit demokratik në vend”.
“Në rast se fituesi i zgjedhjeve do të abuzonte me të drejtën për propozim, atëherë ai mund thjeshtë të kërkojë nga palët të veprojnë më shpejt apo në rastin më ekstrem, të referojë çështje e veprime në Gjykatën Kushtetuese”.
“Megjithatë, Vetëvendosje, asnjëherë dhe për asnjë çmim, nuk do abuzon me institucionin, Kushtetutën dhe demokracinë. Sot ajo, është shpresa e vetme e popullit të Kosovës për ta bërë shtetin e së drejtës që u shërben të gjithëve”.
