“Kosova është Europë”, deputeti ukrainas e thotë shqip në AP-në e Këshillit të Europës.
Deputeti ukrainas, Oleksiy Goncharenko, me një fjalim të zëshëm në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, i është drejtuar vendeve mosnjohëse të pavarësisë së Kosovës brenda Këshillit të Europës që ta ndërmarrin hapin dhe ta njohin Kosovën si shtet.
“Kosova duhet të njihet nga të gjitha vendet e Këshillit të Europës. Për momentin 12 vende nuk e njohin, po ju adresohem juve: Ju lutem, njiheni këtë vend si vend të pavarur… Ata duhet të jenë të ulur këtu me ne, të jenë pjesë e Këshillit të Europës. Vetëm kështu mund të jemi më të fortë”, ka thënë ai.
Ndërkaq, Goncharenko shfrytëzoi sekondat e fundit të fjalimit të tij për të dhënë mesazhin e tij edhe në gjuhën shqipe.
“Kosova është Europë”.
Ai tha se këtë thirrje e ka bërë edhe në Parlamentin e vendit të tij, i cili vazhdon të mos e pranojë pavarësinë e Kosovës.
Aktualisht, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës është duke debatuar në mbështetje të një perspektive europiane për Ballkanin Perëndimor, raporton Gazeta Express.
Goncharenko për rajonin tha se duhet të mbështetet dhe të ndërmerren hapa konkretë për ta bërë pjesë të botës së lirë dhe rrjedhimisht të ruhet nga ndikimi i Rusisë.
“Ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për ta bërë botën të lirë të gjithë planetin, por duhet të fillojmë me Europën. Nuk duhet të ketë vrima në hartën e Evropës për një ose një vend tjetër që nuk është pjesë e Europës dhe projektit europian, në të cilin ne vlerësojmë të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit dhe demokracinë”.