Deputetja e LDK-së: Kurti jo bashkëpunues me opozitën, të na raportoj për Asociacionin

17:01 | 10 Nëntor 2023
deputetja-e-ldk-se:-kurti-jo-bashkepunues-me-opoziten,-te-na-raportoj-per-asociacionin

Rezoluta për mbështetjen financiare të Policisë së Kosovës e propozuar nga PDK-ja dhe ajo për rritjen e koeficientit të pagave në sektorin publik e propozuar nga AAK-ja është rrëzuar në Kuvend përsëri të enjten.

Kjo, pasi që VV-ja e ka abstenuar njërën rezolutë, ndërkaq tjetrën e ka kundërshtuar.

Grupi parlamentar i VV-së, sikurse herën e parë, e ka kundërshtuar rezolutën për mbështetjen financiare të Policisë së Kosovës. Edhe propozimi i AAK-së për rritjen e koeficientit në 129 euro ka hasur në kundërshti nga VV-ja. Koeficienti i pagave në sektorin publik, sipas qeverisë, pritet të rritet për 5 euro më shumë për vitin e ardhshëm.

Lidhur me këtë dhe çështje të tjera në një intervistë për Front Online ka folur deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, njëherit kryetare e Komisionit për Integrim Evropian.

Ajo ka thënë se është shqetësuese se si pushteti nuk po e përkrah Policinë.

“Është shumë shqetësuese mospërkrahja për Policinë e Kosovës, ku pas rastit që kanë dal fitimtar në Banjskë të mos përkrahen. Në fund jep shtesa gati të përgjysmuara me herën e kaluar e të cilat si kanë marrë tash e nëntë muaj, ndërsa për herë të para Qeverisë së Republikës së Kosovës shohim protesta të Njësisë Speciale në lidhje me shtesat për rrezikshmëri. Ata e meritojnë të kenë një pagë më të dinjitetshme”, ka deklaruar Krasniqi, për Front Online.

Kurse, për rritjen e koeficientit ka deklaruar se partia në pushtet nuk dëshiron të bashkëpunojë me partitë opozitare.

“Edhe për rritjen e koeficientit, jemi duke jetuar në një kohë shumë të vështirë, kemi rritje të inflacionit në si LDK kemi dhënë propozimet tona , por këta nuk e kanë pranu, pra këta as nuk dëgjojnë, as nuk dojnë me bashkëpunua me partitë opozitare”, ka shtuar ajo.

 

 Krasniqi: S’kam asnjë informatë rreth draft-statutit të Asociacionit, Kurti të vijë të raportojë

Për raportimin e kryeministrit Albin Kurti i cili ishte ftuar të flasë para deputetëve për draft-statutin e Asociacionit, deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, thotë se në atë seancë gjithçka kaloi në diçka tjetër.

Ajo , pret që kryeministri Kurti për këtë çështje të raportojë edhe njëherë në Kuvend.

“Është tejet shqetësuese atë ditë kur kryeministri ka raportuar në Kuvend dhe ne e kemi thirr me ardhë me na tregu në lidhje me draft-statutin e Asociacionit, por atë ditë është bërë gjithçka politike dmth ka dalë përtej asaj çka është dashur të ndodhë në Kuvend. Unë pres që kryeministri të vijë përsëri dhe të raportojë dhe të na tregojë në lidhje me draft-statutin e Asociacionit, mirëpo e pamë dje edhe qëndrimin e ambasadorit amerikan i cili tha se nuk do të ketë Asociacion me kompetenca ekzekutive dhe gjithçka do të jetë në përputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës”, ka deklaruar Krasniqi.

Të vetmen informatë që e ka për draft-statutin deputetja thotë se e ka vetëm ato që po sheh në media.

“Nuk kam kurrfarë informata edhe si deputete edhe si kryetare e Komisionit për Integrim nuk kam kurrfarë informate përpos atyre që i kemi parë në media që një draft e qet kryeministri i Shqipërisë, një draft del ndryshe dhe ne nuk dimë asgjë”, është shprehur deputetja.

 

 Krasniqi për Raportin e Progresit: Vitin e ardhshëm do të jetë edhe më i keq, me më shumë regres

Komisioni Evropian të mërkurën miratoi Raportin e Progresit për Kosovën.

Në atë raport u cekën disa fusha ku Kosova ka pasur përparim, por kishte fusha ku edhe kishte regres.

Deputetja e LDK-së, njëherit kryetarja e Komisionit për Integrim Evropian, Rrezarta Krasniqi në një intervistë për Front Online thotë se ky vetëm Raport i Progresit nuk mund të quhet.

“Për mua vetëm raport i Progresit nuk mund të quhet sepse në disa fusha ka pas tejet regres duke nis nga politika e jashtme, nga procesi i dialogut. Shqetësuese ka qenë edhe çështja në lidhje me mediat ku kemi parë që shteti është munduar t’ia merr licencën Klan Kosovës e po ashtu edhe dhuna ndaj gazetarëve. Gjithashtu shqetësuese ka qenë edhe krimi dhe korrupsioni ku kanë ardh me plot gojën me luftu krimin dhe korrupsionin dhe ju e dini që shumë njerëz të tyre janë nëpër burgje duke marrë parasysh rastin për rezerva shtetërore, rastin e Nagip Krasniqit, e po ashtu edhe rastin me ambasadorin e Kroacisë, Martin Berishaj”, ka thënë ajo.

Deputetja ka përmendur edhe ligjin për zyrtarët publik dhe mos emërimin e bordeve dhe se këto sipas saj janë pengesa që Kosova të arrij në vendin e duhur.

Ajo nuk pret që edhe në raportin e vitit të ardhshëm Kosova të ketë progres. Dhe, këtë e thotë për disa arsye.

“Raporti që është bërë tash është nga qershori i vitit 2022 deri në qershor të vitit 2023 dhe duhet të llogariten se çka ka ndodhë pas qershorit me rezervat shtetërore e çështje të tjera, po ashtu e kemi edhe 24 shtatorin dhe ato nuk kanë hy në këtë raport, dhe unë besoj që secilën herë do të del me më shumë regres sepse duke pas parasysh që janë një qeveri më 51% në raport është cekur edhe mospuna në Kuvend”, ka shtuar deputetja Krasniqi.

 

 

Deputetja e LDK-së: Marrëveshjet ndërkombëtare duhet të votohen, janë në interes të qytetarëve

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë vendosur që mos ta votojnë asnjë marrëveshje ndërkombëtare.

Por, qëndrim të njëjtë nuk kanë edhe LDK-ja.

Për këtë deputetja e kësaj partie Rrezarta Krasniqi në një intervistë për Front Online deklaron se nuk mund të ndryshojnë qëndrimet e partive të tjera.

“Ndërsa, për marrëveshje ndërkombëtare ne po shkojmë në Kuvend kush po voton dhe kush jo, ndërsa ajo asnjëherë nuk bën bashkëbisedime me neve. Ne si LDK i kemi votuar të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare përjashtim të një që se kemi votuar, mirëpo partitë tjera kanë qëndrimet e veta dhe ne nuk mundemi me iu ndrru qëndrimet partive tjera që tash e sa muaj nuk po votohen këto marrëveshje”, ka deklaruar ajo.

Thotë se kur diçka është në interes të qytetarëve të vendit duhet të votohet.

“Kur është diçka në interes të qytetarëve të Republikës së Kosovës ishte dashtë të votohej, ato na nevojiten ka për ekonomi e shumë fusha të tjera ishte dashtë me u votu. Mirëpo, edhe pse s’po votohen marrëveshjet ndërkombëtare këta kanë shumë punë dhe shumë buxhet që nuk po dinë me shfrytëzu”, është shprehur Krasniqi./Front Online/

 

 

 

 

Komento: