Deputetja e LDK-së: Kurti  po sillet sikur i ka 51%, por nuk i ka votat për të bërë çka do vetë

18:26 | 27 Maj 2025
deputetja-e-ldk-se:-kurti- po-sillet-sikur-i-ka-51%,-por-nuk-i-ka-votat-per-te-bere-cka-do-vete

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arjeta Abazi, për FrontOnline ka folur pas situatës së krijuar në Kuvendin e Kosovës, duke fajësuar kreun e VV-së, Albin Kurti për bllokadën institucionale dhe mungesën e bashkëpunimit ndërpartiak.

Sipas Abazit, përgjegjësia për mosfunksionimin e institucioneve bie mbi LVV-në dhe mbi vetë Kurtin, i cili po refuzon ofertat dhe kompromiset e partive opozitare.

“Kurti është dashur qysh moti me i kriju institucionet, edhe gjithçka është në dorën e tij. Mendoj se secila nga partitë tjera ja kanë dhënë nga një mundësi atij,” u shpreh Abazi.

Ajo theksoi se partitë opozitare kanë shfaqur gatishmëri për të gjetur zgjidhje, përfshirë PDK-në që propozoi ndërrimin e kandidatit për kryetar Kuvendi dhe po ashtu edhe AAK-në që ofroi dy emra tjerë për të votuar për kryetar Kuvendi, si dhe vetë LDK-në që doli me idenë e një qeverie nacionale.

“PDK me ndryshu emrin e kandidatit, po ashtu edhe AAK, e ne si LDK propozuam një qeveri nacionale,” tha ajo për FrontOnline.

Abazi akuzoi Kurtin se po sillet si të kishte shumicën absolute në Kuvend.

“Kurti po sillet sikur që i ka 51%, dhe nuk po e kupton se nuk i ka votat për me bërë ai çka do vetë,” theksoi ajo.

Ajo përfundoi duke thënë se Kurti nuk mund të pretendojë të zgjedhë vetë gjithçka në një sistem që kërkon konsensus.

“Në këtë rast, ai nëse nuk e kupton se nuk mundet me bërë, duhet me bashkëpunuar me partitë tjera. Kurti edhe po kërkon edhe po zgjedhë, është e pamundur,” deklaroi Abazi.

Komento: