Kica-Xhelili për videon e VV-së: S’kanë argumente ndaj merren me këso video amatere.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, po e quan amatere videon e fundit propagandistike të VV-së drejtuar LDK-së.
Deputetja tha se partia në pushtet po targeton LDK-në me këso video pasi ka humbur argumentet dhe s’ka si të “sulmojë” ndryshe.
“Nuk është hera e parë, që mjeti i vetëm që po bëhet për t’u marrë sidomos me LDK. Kur po humbasin argumentet po merren me këso video. Nëse duan të shtyhen për aftësi kinematografike dhe video, më besoni që kemi njerëz më të mirë se kaq. Kemi njerëz në LDK më të mirë, më kreativ që janë në gjendje një video amatere me një formacion kinematografik më bë më mirë. Kjo ndodhë në vazhdimësi”, tha Kica-Xhelili në Kanal 10.
Lëvizja Vetëvendosje ka lansuar sot një tjetër video propagandistike kundër opozitës. Por për dallim nga videot e tjera, kjo e fundit është me propagandë vetëm ndaj LDK’së.
“Ekonomia e LDK-së në shërbim të grupeve të interesit”, është titulluar video e re propagandistike e partisë së Kryeministrit Albin Kurti.
Në video, LVV’ja pohon se LDK ka brenda saj gjysmën e katedrës së Fakultetit Ekonomik të UP’së, dhe sipas tyre përkundër kësaj, partia e Lumir Abdixhikut ka ofruar alternativa të dëmshme për ekonominë e vendit.