Kica Xhelili: Qeveria të tregojë pse Kosova s’është pjesë e Programit të Evropës Digjitale.
Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica Xhelili, ka kërkuar nga Qeveria që të tregojë pse vendi ynë nuk është pjesë e Programit të Evropës Digjitale në vlerë prej 7.5 miliard euro.
Deputetja e LDK-së shprehet se Kosova e meriton më shumë se shtetet në rajon që të jetë pjesë e këtij programi.
Prandaj, lënien e Kosovës jashtë programit e ka quajtur turp e dështim.
Reagimi i saj i plotë:
Le t’i tregoj Qeveria sot gjithë sektorit digjital të Kosovës, pse Kosova nuk është pjesë e Programit të Europës Digjitale në vlerë prej 7,5 miliard euro, ndërkaq Shqipëria, Serbia, Mali i Zi e Maqedonia e Veriut po.
Kosova s’ka shumë që u përzgjodh si TechHub i Ballkanit për shkak të kapaciteteve të jashtëzakonshme të rinisë tonë. E para në rajon dhe e 11-ta në Evropë. E merituam më shumë se kushdo në rajon.
Sa teori, praktika e politika shtesë izolacioniste na duhen për të kuptuar sa mbrapshtë e konceptojnë këta “zhvillimin” e vendit?
Apo edhe kjo është veç “masë” e jo sanksion?
Mëkat, turp, dështim e çka jo!