Deputetja e VV-së: S’është momenti të flitet për Asociacion, BE-ja ta sanksionojë Serbinë

08:02 | 27 Tetor 2023
deputetja-e-vv-se:-s’eshte-momenti-te-flitet-per-asociacion,-be-ja-ta-sanksionoje-serbine

Pesëshja perëndimore të shtunën e 21 tetorit i solli kryeministrit Albin Kurti një plan të ri.

Në këtë plan përfshihej një paketë më e plotë e zbatimit gjithëpërfshirës të Marrëveshjes Bazike bashkërisht me një draft të propozuar për Asociacionin, shkruan Front Online.

Të mërkurën u raportua që kryeministri Kurti, e ka pranuar planin e sjellë nga pesëshja perëndimore.

Ai, ka shprehur dakordimin e tij që ky plan i ri të jetë korniza e vazhdimit të diskutimeve të mëtejshme me shtetet aleate, ShBA, Gjermani, Francë dhe Itali, e cila do të duhej të siguronte një komponent të fuqishëm të sigurisë dhe gjithashtu të fuqizonte perspektivën e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

Për, këtë dhe çështje të tjera në një intervistë për Front Online ka folur deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni.

 

Kryeziu-Hyseni: Para dialogut urgjente është të flitet për sigurinë e qytetarëve të Kosovës

Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, njëherit kryetare e Komisionit për Punë të Jashtme, ka thënë për Front Online se tani nuk është koha të flitet për dialog e as për drafte të statutit të Asociacionit.

Njëjtë sikurse shefi i saj, edhe Kryeziu-Hyseni thotë se urgjente është të flitet për sigurinë e qytetarëve të Kosovës dhe sanksionimin e Serbisë.

“Pra, do të flitet për urgjencën për të diskutuar për siguri në Kosovë dhe për sanksionet për Serbinë përpara çfarë do lloj teme tjetër që mund të jetë në prioritet të shteteve të Bashkimit Evropian ose të përfaqësuesve të BE-së për ta thënë më mirë”, ka deklaruar Kryeziu-Hyseni për Front Online.

Kryeziu-Hyseni, deklaron se po e  thotë këtë për shkak se edhe në këto momente vazhdimisht ka lëvizje të forcave serbe për të organizuar sulme si ai që ndodhi më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit.

“Prandaj mendojmë se është shumë e rëndësishme që të shohim sa është e sigurt Kosova dhe qytetarët e saj, pas kësaj çfarë ndodhi më 24 shtator dhe për të parë se cili është vullneti i Bashkimit Evropian për ta sanksionuar një shtet i cili në kuadër të një procesi të dialogut që synonte ti qonte vendet drejt normalizimit organizon një sulm terrorist dhe e cenon rëndë sigurinë e qytetarëve tonë”, ka shtuar ajo.

 

 

Deputetja e VV-së: Asociacioni nuk është në plan të parë, s’mund t’i plotësojmë pafundësisht dëshirat e Serbisë

Derisa çështja e Asociacionit është bërë pikë kyçe në dialog dhe ndërkombëtarët po e kërkojnë themelimin e tij, e njëjtë edhe shteti serb, deputetja e pushtetit Arbëreshë Kryeziu-Hyseni në një intervistë për Front Online thotë se kjo çështje tani më nuk është në plan të parë.

“Nuk është në plan të parë Asociacioni tani. Nuk është çështja e vetme për të cilën ne duhet të diskutojmë tani sepse po besoj që pafundësisht nuk mund të plotësojmë dëshirat e Serbisë. Serbia në vazhdimësi ka kërkuar që në temë të diskutimit në kuadër të dialogut të hyjë Asociacioni dhe si rezultat nuk kanë treguar gatishmëri të përmbushin asnjë lloj kërkese tjetër që vjen në kuadër të vet marrëveshjes bazë dhe planit të veprimit dhe ne mendojmë se është shumë më e rëndësishme që marrëveshja bazë dhe plani i veprimit të jenë dy dokumentet e para dhe të vetme në bazë të së cilave duhet të ndërtohet dialogu”, ka deklaruar ajo për Front Online.

Thotë se nuk mund të flitet për draft të statutit të Asociacionit derisa po kërkojnë nga Bashkimi Evropian ta sanksionojë Serbinë për sulmin në Banjskë.

“Pra, ne nuk mund të flasim për një draft pavarësisht a është apo jo në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës në kohën kur ne presim dhe kërkojmë prej Bashkimit Evropian që të sanksionojë Serbinë që organizoi një sulm terrorist në Banjskë të Zveçanit para një muaji, e këtë nuk po e shohim deri më tani. Ndërkohë, që Serbia nuk është sanksionuar as për veprimet e vazhdueshme që i ka bërë prej kur është arritur dakordimi për marrëveshjen bazë e deri më sot”, ka shtuat deputetja e VV-së.

Sipas saj, derisa rreziku për sulme të reja nga Serbia në Kosovë ekziston, atëherë Bashkimi Evropian duhet t’ia tregojë vendin Serbisë me sanksione në mënyrë që të njëjtat të ndalohen dhe të mos përsëriten.

 

Kryeziu-Hyseni: BE-ja të na trajtojë barabartë, kanë qasje të njëanshme

Këmbënguljen e ndërkombëtarëve për themelimin e Asociacionit deputetja e Vetëvendosjes, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, po e sheh jo të nevojshme.

Thotë se ata në vazhdimësi kanë këmbëngulur për këtë gjë.

Ajo, deklaron se nëse Bashkimi Evropian nuk flet për sigurinë e qytetarëve të Kosovës dhe kjo gjë anashkalohet nga ta atëherë mund të shkohet drejt një konflikti të ri në Ballkanin Perëndimor.

“Pra nuk janë kushtet për të diskutuar për një gjë të tillë, as për t’u rikthyer madje në dialog, përderisa nuk flitet për sanksione ndaj Serbisë dhe përderisa nuk flitet për sigurinë e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Pra, duke anashkaluar këto fakte ne mund të shkojmë drejt një konflikti të ri në Ballkanin Perëndimor. Pra, kemi disa konflikte aktive sot në botë, ne mund të shkojmë drejt një konflikti të ri në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë ajo.

Kryeziu-Hyseni pohon se nuk mund t’i vendosen masa Kosovës  duke qenë e gatshme ti bindet secilit do kriter që BE e kërkon, ndërkohë të mos sanksionohet dhe të qëndrohet indiferent ndaj Serbisë e cila ka organizuar sulm terrorist.

“Pra, nuk është aq e thjeshtë t’i bindemi apo t’i themi po diplomatëve në rregull po e pranojmë draftin e juaj, po rikthehemi në dialog sepse po flasim për një çështje tejet serioze dhe shumë më të ndjeshme dhe e cila sigurisht ka nevojë që të trajtohet më detajisht se që ka ndodhur deri më tani, sepse këto çështje duhet të diskutohen, duhet të marrim garancë ne se qytetarët e Kosovës nuk janë të rrezikuar, duhet të marrin ne garancë se ju po mendoni ta sanksiononi një shtet në mënyrë që ta parandaloni që ta bëj një veprim të tillë në të ardhmen përpara se të diskutojmë për çfarë do mundësie tjetër që përfshihet me dialogun”, ka deklaruar Kryeziu-Hyseni.

 

 

Kryeziu-Hyseni: Kurti s’është ulur në tavolinë me Vuçiqin pas 24 shtatorit, këtë s’do duhej ta bënte as BE-ja

Pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se nuk do të ketë dialog pa sanksionim të Serbisë.

E, lidhur me atë se a duhet të ulet kryeministri Kurti në tavolinë me presidentin Vuçiq, kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni ka thënë se një gjë e tillë nuk është parë deri më sot.

Por, se shton se këtë nuk do të duhej ta bënin as Bashkimi Evropian.

“E kemi parë që deri më sot kryeministri Kurti nuk është ulur në një tryezë bashkë me presidentin Vuçiq i cili është kreu i organizimit të sulmit terrorist dhe unë besoj që as Bashkimi Evropian nuk do të duhej të ulej në të njëjtën tavolinë me një person që organizon sulme terroriste në vendet e Ballkanit Perëndimor sepse fundja Bashkimi Evropian në vazhdimësi e potencon që nuk do të jetë i plotë pa anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor dhe meqenëse po synon ta anëtarësoj Ballkanin Perëndimor në Bashkimin Evropian duhet të jenë të kujdesshëm me kë ulen dhe duhet të jenë të kujdesshëm kur ulen përballë organizuesve të sulmeve terroriste”, ka thënë ajo, për Front Online.

Kryeziu-Hyseni thotë se kryeministri Kurti ka qëndrim të duhur sa i përket dialogut, e jo siç deklaron ajo që disa kryeministra më parë iu kanë bindur kërkesave të Vuçiqit e të faktorit ndërkombëtar.

 

“Propozimi evropian për Asociacionin është në përputhje me Kushtetutën”, çka thotë deputetja e VV-së për deklaratën e Konjufcës

 

Të mërkurën kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka deklaruar se propozimi i peshëshes evropiane për Asociacionin, është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Ai, ka thënë se nëse ndodh ndonjë draft i Asociacionit, duhet të ndodh nga ana e Qeverisë së Kosovës, dhe se nuk do të duhej ky draft të ishte rezultat i negociatave.

E, lidhur me këtë deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni në një intervistë për Front Online, është shprehur se nuk mund të flet për këtë çështje, por shton se ajo që mund të thotë se tani nuk është momenti për të folur për Asociacionin.

“Kryetari Konjufca ka thënë që nuk është momenti që të flasim tani për një gjë të tillë dhe nëse ndonjëherë do të duhej dikush të propozonte një draft do të duhej ta bënte këtë Kosova dhe jo të na vijë prej akterëve të tjerë të cilët definitivisht mund të jenë të ndikuar edhe prej Serbisë në mënyrë që forma e Asociacionit të jetë e atillë që i përshtatet Serbisë. Por, unë nuk mund të flas për këtë gjë sepse besoj që këtë çështje e diskuton kryeministria, zv.kryeministri që është përgjegjës për dialogun, por megjithatë e di sigurt që tani nuk është momenti për të folur për një gjë të tillë”, ka thënë ajo./Front Online

 

Komento: