Deputetja Kica-Xhelili kritikon Ligjin për Qeverinë: Amatoresk dhe konfliktuoz

20:52 | 27 March 2025
deputetja-kica-xhelili-kritikon-ligjin-per-qeverine:-amatoresk-dhe-konfliktuoz

Deputetja nga radhët e LDK’së, Doarsa Kica-Xhelili, ka kritikuar ashpër Ligjin për Qeverinë të propozuar dhe miratuar nga ekzekutivi i udhëhequr nga Albin Kurti.

Përmes një reagimi në profilin e saj në Facebook, ajo e ka cilësuar këtë ligj si “tmerrësisht të shkruar” dhe të mbushur me kundërthënie ligjore, duke e quajtur atë një shembull të amaterizmit të Qeverisë Kurti.

“Ky ligj, i miratuar nga kjo Qeveri për vetveten, është konfliktuoz, i paqartë dhe më shumë ngatërron sesa që zgjidh – fiks si Qeveria Kurti,” ka deklaruar Kica-Xhelili.

Sipas saj, një nga kundërthëniet më të mëdha të këtij ligji është përplasja mes Nenit 26 dhe Nenit 29. Ajo thekson se Neni 26 përcakton qartë se një anëtar i kabinetit qeveritar duhet të dorëhiqet nëse zgjidhet deputet, ndërsa Neni 29 bën një përshkrim të përgjithshëm të rasteve kur përfundon mandati i qeverisë.

“Albin Kurti nuk dorëhiqet, edhe sikur ligji të ishte plotësisht i qartë. Ai është shembulli më i mirë i rëndësisë së simbolikave para përmbajtjes,” ka shtuar ajo, duke e akuzuar Kryeministrin për mungesë të respektit ndaj Kushtetutës dhe sundimit të ligjit.

Në fund të reagimit të saj, deputetja ka potencuar se refuzimi i Kurtit për të zbatuar këtë ligj nuk e bën atë më të fortë politikisht, por përkundrazi, sipas saj, e shndërron atë në një shkelës të demokracisë dhe të shtetit ligjor.

Komento:
loading