Derbi i kryeqytetit, Tirana-Partizani: “Betejë” për kreun e tabelës, çfarë pritet të ndodhë sot

18:02 | 17 May 2023

Sot, në orën 18:30, në stadiumin “Air Albania”, do të luhet derbi i kryeqytetit mes Tiranës dhe Partizanit.

Kjo nuk është një ndeshje si gjithë të tjerat, pasi ky derbi i dhuron të gjitha brenda 90 minutave. Atmosferë, spektakël, emocione, nervozizëm, agresivitet dhe show nga tifozeritë.

Aktualisht, Tirana është në vendin e parë të tabelës me 59 pikë, ndërsa Partizani në vendin e dytë me 57 pikë. Një luftë e hapur deri në përfundim të sezonit, ku përveç sfidës së sotme, kanë mbetur edhe tre javë për të mësuar deri në fund se cili do të jetë triumfatori.

“Beteja” do të nisë disa orë përpara sfidës, me tifozeritë e secilës skuadër të cilët do të marshojnë në rrugët e kryeqytetit në drejtim të stadiumit kombëtar. Fanatics dhe Guerrilsat kanë treguar gjithmonë se në këtë përballje, ata janë të magjishëm me performancat e tyre brenda fushës. Koreografitë e tyre janë mbresëlënëse dhe fantastike. Një atmosferë që krijohet nga të dyja polet dhe që krijon një adrenalinë për të gjithë të tjerët, sidomos për lojtarët.

Kjo ndeshje ka të bukurat dhe të shëmtuarat e saj. Pjesa negative është se në të shumtën e rasteve, tifozeritë kanë krijuar edhe rrëmuja para ose pas ndeshjes. Gjithsesi të përfunduara pa pasoja të rënda, shkruan abcnews.

Tirana dhe Partizani janë pothuajse të dyja në të njëjtën formë, me bardheblutë të cilët kanë regjistruar katër fitore dhe një humbje në pesë ndeshjet e fundit, ndërsa të kuqtë kanë regjistruar 3 fitore, 1 barazim dhe 1 humbje.

Tirana ka në skuadër sulmuesin më pjellor të këtij sezoni, Hasani i cili ka shënuar deri më tani 15 gola. Bardheblutë kanë mbrojtje më të mirë se Partizani duke iu referuar statistikave të këtij sezoni, pasi kanë pësuar vetëm 28 gola deri më tani, ndërsa “demat” 34. Sulmi është pothuajse i njëjtë, me një gol më shumë të shënuar Tirana, 48 me 47.

Duke ditur rëndësinë e këtij derbi, sigurisht janë marrë masat e duhura nga policia e shtetit për mbarëvajtjen e saj.

Policia e Tiranës ka hartuar plan masash për garantimin e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes së futbollit midis ekipeve të futbollit “Partizani” dhe “Tirana”, që do të zhvillohet më datë 17.05.2023, në orën 18:30, në stadiumin “Air Albania”.

Masat e marra nga Policia e Tiranës konsistojnë jo vetëm në ambientet e stadiumit, por dhe në një perimetër më të gjerë jashtë tij.

Në këtë kuadër do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore dhe itinerare të përcaktuara për lëvizjen e tifozëve të dy skuadrave. Segmentet rrugore që do të jenë të bllokuara nga ora 16:00 deri në përfundim të aktivitetit do të jenë: Rruga “Lek Dukagjini”, përreth stadiumit, rruga “Dervish Hima”, rruga “Gjergj Filipi”, rruga “Papa Gjon Pali II”, nga kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali” deri tek stadiumi “Air Albania” , bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga Presidenca deri te sheshi “Nënë Tereza”.

Sigurisht, policia ka planifikuar dhe ka bërë të qartë gjithashtu se ku do të kalojnë grupimet përkatëse të tifozëve. Lëvizja e tifozëve të Partizanit do të bëhet nga kryqëzimi i rrugës “Muhamet Gjollesha” me rrugën “Artan Lenja”, përgjatë rrugës “Muhamet Gjollesha”, rruga “Sulejman Delvina”, “Libri Universitar” pas Presidencës rruga “Gjergj Filipi” – stadiumi.

Lëvizja e tifozëve të Tiranës do të bëhet nga sheshi “Skënderbej”, bulevardi “Dëshmorët e Kombit, rruga “Bajram Curri”, rruga “Papa “Gjon Pali” – stadiumi.

Policia do të garantojë dhe do të sigurojë lëvizjen e tifozëve përgjatë rrugëkalimeve të caktuara dhe nuk do të lejojë grumbullim apo kalim të tifozëve, jashtë itinerarit të caktuar.

Po në zbatim të planit të masave, do të ushtrohen kontrolle ndaj tifozëve, para hyrjes në stadium, për sende të kundërligjshme (sende të forta, bidonë uji, çadra, çelësa metalik apo lëndë piroteknike etj). Çdo tifoz duhet të jetë i pajisur me dokument identifikimi.

Nuk do të lejohen të futen në stadium shtetas pa dokument identifikimi, si dhe fëmijët nën moshën 16 vjeç, pa praninë e prindit apo kujdestarit (shoqëruar me dokument).

Tifozët duhet të kenë me vete dokument identifikimi ose në të kundërt nuk do të lejohet hyrja në ambientet e stadiumit.

Gjithashtu, nuk do të lejohen të futen në stadium të gjithë ata tifozë të cilët në aktivitete të ndryshme sportive janë të identifikuar nga Policia, si tifozë problematikë.

Komento: