Derbi Milan-Inter, Pioli flet për përplasjen Ibra-Lukaku

19:50 | 20 Shkurt 2021

Pioli: Me zemër dhe vendosmëri në derbi

Është momenti i derbit të Madoninnas. Milani sfidon Interin në “San Siro” me qëllimin për t’i marrë vendin e parë.

Për të besuarit e Stefano Piolit, fitorja është domosdoshmëri. Trajneri kuqezi shpjegoi në konferencën për shtyp se sa e rëndësishme është të jesh i qetë në të tilla ndeshje.

“Është një ndeshje që duhet të luhet me qetësi maksimale, por me shumë zemër. Do të nevojitet vullneti dhe vendosmëria”.

Derbi me dyer të mbyllura: “Tifozët tanë vazhdojnë të jenë të veçantë. Na vjen keq që nuk jemi në gjendje të luajmë në një “San Siro” plot me njerëz, por ata janë gjithmonë pranë nesh dhe na japin një mbështetje të madhe. Shpresojmë të jetë derbi i fundit pa tifozë”.

Dy skuadra, taktikisht të ndryshme: “Milani dhe Interi kanë një fizionomi të qartë. Sfidat e fundit kanë qenë gjithmonë të ekuilibruara dhe ka pasur shumë shanse shënimi. Skuadra që do të jetë më kompakte dhe më e saktë do të ketë më shumë mundësi. Do të na duhet një performancë e nivelit më të lartë”.

Përplasja Ibra-Lukaku: “Kam shumë respekt për Lukakun, por do ta mbështes Ibran gjithë jetën time. Zënka mes tyre?me Do të kishte qenë më mirë nëse nuk do të kishte ndodhur, por nesër do të jetë një tjetër ndeshje. Është një derbi, do të ketë duele dhe përplasje të tjera, por edhe respekt dhe profesionalizëm të madh”.

Dëmtimet: “Mandzukic po riaftësohet nga një dëmtim shumë të lehtë. Le të shpresojmë që të mos jetë një mungesë e gjatë, sepse tani ai po kthehej në gjendjen e duhur. Bennacer i duhet kohë. Shpresojmë që së shpejti ta kemi në dispozicion”.

Rreziku nga Hakimi: “Ata kanë individë shumë cilësorë, por edhe ne kemi tanët. Duam ta udhëheqim lojën, kjo është ideja. Ne e dimë që do të përballemi me kundërshtarë të ndërtuar për të fituar titullin dhe për të qenë protagonistë në Europë. Gjithashtu do të duhet të mbrohemi mirë”.

Komento: