Milinona po fitohen nga futbolli.
Milan-Inter do të jetë një derbi rekordesh. Përballja numër 223 e skuadrave të Milanos do të luhet me stadiumin “San Siro”, të mbushur në kapacitetin e tij të plotë, duke vendosur shifrën më të lartë të të ardhurave që ka gjeneruar një ndeshje e Serisë A: përfshirë faturimet e shërbimeve do të arrihet në kuotën e 5.7 milionë eurove në total.
Fluks konstant blerjesh biletash gjatë javëve të shkuara për sfidën vendimtare, që do të përcaktojë një vend mes katër të parave në Serinë A. Plot 10.655 bileta të shitura vetëm më 5 shkurt, 4000 numri i biletave të blera nga tifozët e huaj. Derbi do të transmetohet në mbi 200 vende në të gjithë botën.
E mbushur edhe tribuna e gazetarëve, me mbi 600 njerëz të medias së akredituar, mes të cilëve 260 gazetarë, 60 fotografë dhe 300 persona të transmetimit televiziv, të cilët falë mbi 25 telekamerave, do t’i ofrojnë botës një spektakël unik.
Spektakël edhe brenda stadiumit: në linjë me sloganin kuqezi dedikuar ndeshjes “Join The Flame” (Bashkojuni Flakës), 170 aparate ndriçues do të projektojnë dritën për të rikrijuar efektin e zjarrit. Përpara ndeshjes, reperi Ghali do të këndojë hitin e tij “I love you”.
Në pushim, protagonistë do të bëhen edhe kampionët e së shkuarës milaniste: Abiati, Ambrozini, Kafu, Dida, Inzagi, Nesta dhe Oddo do të prezantojnë së bashku me administratorin e deleguar, Ivan Gazidhis, fanellat speciale me të cilat legjendat e Milanit do të luajnë në “Anfield” më 23 mars, përballë atyre të Liverpulit.