Chollet: Dua të jem i qartë, Asociacioni s’do t’i përngjajë Republikës Srpska.
Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë nuk do të jetë një mekanizëm që do t’i përngjajë Republikës Srpska në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Duke folur për në një intervistë për televizionin N1 në Beograd, Chollet ka thënë është me rëndësi që të formohet Asociacioni duke respektuar Kushtetutën e Kosovës.
“Më duhet të jem i qartë, kjo nuk është një marrëveshje që do t’i përngjajë Republikës Srpska”, ka thënë Chollet, transmeton Gazeta Express.
Siç shkruan mediumi, ai nuk ka dashur të flasë rreth karakteristikave juridike të Asociacionit, duke thënë se detajet duhet të “rafinohen” nëpërmjet dialogut.
I pyetur lidhur me deklaratat e presidentit serb Aleksandar Vuçiq se plani franko-gjerman përfshin njohjen e pavarësisë së Kosovës, Chollet ka thënë se SHBA mbështetë normalizimin drejt njohjes reciproke.
“SHBA mbështetë dialogun e ndërmjetësuar nga BE dhe qëllimi i saj është normalizimi në drejtim të njohjes reciproke”, ka deklaruar diplomati, duke shtuar se propozimi evropian është bazë negocimi dhe si i tillë është fleksibil.
Ndërkaq, sa i përket anëtarësimit të mundshëm të Kosovës në Kombet e Bashkuara, ai ka thënë se është një gjë e vështirë marrë parasysh kundërshtimet ruse dhe kineze, por ka thënë se SHBA do të vazhdojë të avokojë.
Përpjekjet serbe për tërheqje të njohjeve të Kosovës, i ka quajtur humbje kohe.
“Përpjekjet për tërheqje njohjesh të Kosovës në komunitetin ndërkombëtar janë humbje kohe dhe energjie”, ka thënë Chollet.
Chollet është shprehur i brengosur me influencën ruse në Ballkan. Ai ka deklaruar se Rusia ka dëshmuar gatishmëri që të përdorë resurset e energjisë për të ushtruar ndikim negativ.