Gjendja në QKUK nuk është duke u përmisuar assesi.
Listat e pritjes në QKUK, arrijnë deri në katër muaj.
Fluksi i madh i pacientëve, aparaturat me defekte dhe mungesa e materialit medicinal shumë herë kanë ndikuar që në disa klinika në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës e po ashtu edhe në spitalet regjionale të krijohen lista të pritjes. Madje në shumë raste pacientët presin edhe me muaj për të marrë një shërbim shëndetësor.
Deri në tre muaj e gjysmë shkon lista e pritjes për rezonancë magnetike në Klinikën e Radiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Kështu ka bërë të ditur drejtori i kësaj klinike, Bujar Gjikolli. Ai ka thënë për “Zërin” se në listë të pritjes janë vetëm rastet ambulatore, derisa ato të hospitalizuara marrin shërbimin menjëherë.
“Momentalisht lista e pritjes arrin nëntorin e vitit 2019, derisa Klinika e Radiologjisë po punon me kapacitete të shtuara dhe po thërret pacientë nga lista e pritjes, duke arritur tani të thërrasim edhe pacientët që në listë kanë qenë për në muajin gusht të këtij viti. Lista e pritjes është tre muaj e gjysmë për pacientë ambulatorë, derisa për pacientë të hospitalizuar lista e pritjes është thuajse zero”, ka thënë ai.
Gjikolli ka thënë se tashmë ata kanë filluar të japin shërbime edhe pasdite. Listë të pritjes ka edhe në disa klinika tjera në QKUK. Drejtori i Klinikës së Ortopedisë, Arbër Tolaj, ka thënë për gazetën “Zëri” se në këtë klinika ekziston lista e pritjes për proteza.