Dëshmia e ekspertit të kriminalistikës po zhvillohet pjesërisht në seancë private

12:15 | 03 Mars 2026
deshmia-e-ekspertit-te-kriminalistikes-po-zhvillohet-pjeserisht-ne-seance-private

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka nisur dëgjimi i dëshmitarit të dytë në gjyqin ndaj Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit për pengim të drejtësisë.

Pyetjet e prokurorit Joshua Hafetz për dëshmitarin holandez, Koen Herlaar, pjesërisht janë dëgjuar në seancë private. Të akuzuarit janë të pranishëm në sallën e gjyqit, në përjashtim të Hashim Thaçit i cili po e përcjell seancën përmes video-lidhjes.  Prokuroria ka nisur me pyetjet për ekspertin e kriminalistikës të Intitutit të Kriminalistikës së Holandës mëngjesin e sotëm.

Ky është dëshmitari i dytë i ftuar nga ZPS-së në rastin ndaj Thaçit dhe të tjerëve për pengim të drejtësisë. Paraprakisht, gjatë pyetjeve të prokurorit Joshua Hafetz, është shfaqur një dokument ku u tha se është “CV” e tij, për çka tregoi nëse janë pjesë e saj edhe ekzaminimet që janë bërë me kërkesë të ZPS-së në këtë çështje gjyqësore. Dëshmitari holandez tha se është përgjegjës për hartimin e raporteve të ekspertit forenzik dhe analizimin dhe shqyrtimit të raporteve të shkruara nga kolegët e tjerë.

Në sallën e gjyqit, Herlaar shtoi se 100 raporte ka shqyrtuar si ekspert i dytë që kanë të bëjnë me “gjurmimin, vijat, presionin”. Më pas, pyetjet e prokurorit kanë vijuar në seancë private.
Fillimisht, ai tha Instituti i Kriminalistikës së Holandës është agjenci pranë Ministrisë së Sigurisë dhe Drejtësisë. Tutje, ky dëshmitar i ZPS-së tha se në këtë Institut ekzaminojnë “prova për gjykatësit, partnerët, drejtësinë penale sipas rasteve”. Ai tha se punon në këtë institut prej shkurtit të vitit 2009.

Dëshmia e këtij dëshmitari pjesërisht do të jetë konfidenciale, për çka gjyqtari kërkoi nga palët që të kalohet në seancë private kur është e nevojshme. Në fillim të seancës, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj dhe Fadil Fazliu, u bë e ditur se kishin kërkuar që të ndryshohen kushtet e lirimit të tyre. Por, kjo çështje nuk u elaborua më tej, veçse nga prokuroria u kërkua që parashtrimet e saj t’i paraqes më vonë.

Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi, të cilët akuzohen për pengim të drejtësisë, janë deklaruar të pafajshëm para trupit gjykues. Prokuroria pretendon se posedon dëshmi, përfshirë audio-incizime nga Qendra e Paraburgimit në Hagë.

Edhe avokatët mbrojtës kanë kundërshtuar këto pretendime, ku kanë thënë se provat e Prokurorisë nuk dëshmojnë kryerjen e veprave penale për çka akuzohen. Hashim Thaçi dhe të tjerët akuzohen nën pretendimet se gjatë vizitave më 2023 në Hagë, të njëjtit i kanë dhënë udhëzime dhe informacione konfidenciale dëshmitarëve për gjyqin për krime lufte. /Sh.Pajaziti

Komento: