
Ish-diplomati britanik, John Stewart Duncan, i ftuar nga mbrojtja e Hashim Thaçit që të dëshmojë para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, tha se UÇK-ja nuk kishte strukturë hierarkike. Në ditën e parë të dëshmisë së tij në Hagë, ai tha se fuqinë reale e kishin komandantët e zonave.
“Nuk kishin struktura hierarkike, ishin të organizuar ndryshe, nuk mund të shkonim thjeshtë të bisedonim me zotëri Thaçin, apo me gjeneral Çekun dhe të mendonim se e zgjidhëm problemin. Nuk funksiononte kështu. Duhej flisnim me personat që vërtetë kishin kompetenca, dhe ata ishin komandantët e zonave”, theksoi Duncan.
Ai tha se fuqinë reale në UÇK e kishin komandantët e zonave.
“Fuqinë reale në strukturën e UÇK-së e kishin komandantët rajonalë dhe kjo na u konfirmua kur u takuam me gjeneral Agim Çekun [14 qershor] në fillim të negocimit të marrëveshjes, ai na tha që nuk e bëj dot këtë pa praninë e komandantëve të zonave. I besova, ishte ngulmues për këtë çështje. Tha dy gjera, e para, tha që zotëri Thaçi nuk ishte i disponueshëm dhe për ta bërë një gjë të tillë, Thaçi do të duhej të konsultohej, dhe më pas ai shtoi se unë nuk e bëj një gjë të tillë nëse në negociata nuk marrin pjesë komandantët e zonave”, shtoi ai.
Derisa foli për UÇK-në, ai tha se asokohe i quanin “ushtria e atyre që nuk kishin asgjë”.
“Ne i quanim atë ushtria e atyre që nuk kishin asgjë, ky ishte termi që kam përdorur në atë kohë dhe kur kam shkuar në teren kam parë njerëz që kishin pasur një jetë normale, ishin civilë, doktorë, avokatë, njerëz që kishin lënë punën dhe kishin marrë armët, aspiratat e tyre nuk ishin të njëjta dhe kur negocionin me këta njerëz duhet të kuptosh se cili është synimi i tyre, si kanë arritur në këtë pikë, çfarë faktorësh i shtynë deri në atë pikë ku ndodhen, cilat janë aspiratat e tyre dhe interesat e tyre. Dhe duhet që këto të shfrytëzohen për t’i bindur njerëzit për bërë diçka të ndryshme, mirëpo aspiratat nuk ishin të njëjta, ata vinin nga shtresa të ndryshme të shoqërisë”, tha ish-diplomati britanik”, tha ai.
Ish-diplomati britanik tha se nuk besonin që ushtarët asokohe do të mund të bindeshin nga Hashim Thaçi për një marrëveshjen për çarmatosje.
“Problemi tjetër i madh ishte që udhëheqja e UÇK-së, mund të mos ishin në gjendje t’i bindnin ushtarët e UÇK-së. Po të ishim të bindur se kjo do të ndodhte do të kishim shkuar te udhëheqja politike e UÇK-së dhe do t’i kishim thënë se kemi nevojë për një marrëveshje të çarmatosjes. Pra siç e thash, ne nuk kishim kohë të madhe në dispozicion dhe nuk kishim besim që zotëri Thaçi do të ishte në gjendje t’i bindte ushtarakët”, theksoi ai.
Ai ndër të tjera theksoi se Hashim Thaçi nuk pasqyronte realitetin politik.
“Nuk ishte realiste që zotëri Thaçi të njihej si udhëheqësi politik i Kosovës, kishte forca të tjera politike që ekzistonin atje, si LDK-ja, zotëri Rugova e të tjerë, ata mund ta kishin zgjedhur atë si udhëheqës të delegacionit në Rambuje por ai nuk kishte atë që quhej legjitimiteti politik në një shoqëri demokratike, nuk ishte zgjedhur nga populli. [Të njihej Thaci si kryeministër] nuk ishte realiste, nuk përfaqësonte realitetin dhe nuk ishte e qëndrueshme nga pikëpamja politike”, tha ai.