Dëshmitari në gjyqin ndaj Nagip Krasniqit: Nuk ka pasur kritere favorizuese për kaldajën A5

11:50 | 11 Mars 2026
deshmitari-ne-gjyqin-ndaj-nagip-krasniqit:-nuk-ka-pasur-kritere-favorizuese-per-kaldajen-a5

Në seancën gjyqësore ndaj ish-kryeshefit ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës, Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, dëshmitari Emin Mava deklaroi se në procedurën e prokurimit për rregullimin e kaldajës A5 nuk ka pasur kritere favorizuese dhe se nuk është shkaktuar dëm financiar në aspektin e prokurimit.

Mava, duke iu përgjigjur pyetjeve të avokatit të Krasniqit, Virtyt Ibrahimaga, tha se në kohën për të cilën po flitej kishte qenë menaxher i departamentit dhe nuk i kishte raportuar drejtpërdrejt kryeshefit.

“Në atë kohë kam qenë menaxher i departamentit dhe nuk i kam raportuar drejtpërdrejtë, bashkëpunimi ka qenë korrekt në bazë të punës së përditshme”, tha ai.

I pyetur nga avokati nëse ndaj tij ishte ushtruar presion lidhur me rregullimin e kaldajës A5, dëshmitari u përgjigj shkurt: “Jo”.

Ai shtoi se, përveç një takimi ku kishte qenë me Ymer Dragushën, nuk kishte marrë pjesë në takime të tjera.

“Përpos takimit që kam qenë me Ymer Dragushën unë nuk kam qenë në takime tjera”, tha ai.

Avokati Ibrahimaga kërkoi sqarime lidhur me një takim me kryeshefin dhe Dragushën, ku sipas deklarimeve paraprake ishte përmendur mundësia e vazhdimit të procedurës nëse jepej urdhër.

“Sipas procedurës së prokurimit nuk parashihet urdhër, Po flas nga ajo që kam dëgjuar dhe kam qenë në takim që ka ndodhur me kryeshefin dhe Ymer Dragushën. Kryeshefi ka kërkuar që të shikohet mundësia për shkak të afateve që të vazhdohet me procedura për nënshkrim të kontratës edhe pse komisioni ka rekomanduar për anulim. Ymer Dragusha ka thënë unë mund të vazhdoj vetëm nëse kam një kërkesë me shkrim nga ana jote apo urdhër… në atë takim është diskutuar se kryeshefi ka kërkuar se çfarë është ajo kërkesë apo urdhër dhe Ymeri i ka thënë se unë do të ndihmoj me përpilu tekstin e kërkesës, urdhrit”, tha dëshmitari.

Pyetje dëshmitarit i parashtroi edhe i akuzuari Krasniqi, i cili kërkoi të dijë nëse blloku do të kishte mundësi të ristartohej deri në muajin prill.

“Nëse ish nisur procedurë e re e prokurimit nuk ka pasur shanse të kryhet në afatet e parapara”, u përgjigj Mava.

Krasniqi po ashtu pyeti për rolin e zyrtarit kryesor administrativ dhe kompetencat e tij në një ndërmarrje.

Dëshmitari deklaroi se në procedurat e prokurimit nuk parashihen urdhra dhe se ZKA ka të drejtë të marrë vendim përkundër saj.

“Nuk ka të drejtë, po flas për ligj të prokurimit”, tha ai.

Pyetje pati edhe nga anëtari i trupit gjykues, Kujtim Krasniqi, cili e pyeti nëse kishte pasur kritere që favorizonin ndonjë operator ekonomik.

“Nuk ka pasur kritere favorizuese”, deklaroi dëshmitari.

I pyetur nëse ishte shkaktuar dëm në këtë proces të tenderimit, ai u përgjigj:

“Në aspektin e prokurimit dëm nuk ka, nuk është bërë as një pagesë si dhe nuk është prolonguar afati në punë të bllokut për shkak të këtij operatori”.

Ish-kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, po akuzohet për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Ai më herët e ka cilësuar aktakuzën si të montuar dhe ka theksuar se qëndrimi i tij pesëmujor në paraburgim është i padrejtë.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 30 dhjetor 2024, Krasniqi, së bashku me Ymer Dragushën dhe Isuf Zejnën, akuzohet për dëmtim të buxhetit të shtetit me rreth 37 milionë euro.

Nagip Krasniqi dhe Ymer Dragusha akuzohen për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”, ndërsa Krasniqi akuzohet edhe për “Zbulim të fshehtësisë zyrtare”. Isuf Zejna akuzohet për “Ndihmë në kryerjen e veprës penale keqpërdorim i detyrës zyrtare”.

Në seancën fillestare më 7 shkurt 2025, Krasniqi dhe Zejna janë deklaruar të pafajshëm, ndërsa Ymer Dragusha ka pranuar fajësinë pas marrëveshjes me Prokurorinë.

Komento: