Dëshmitari: Në protestën e 9 marsit 1998 u plagosëm 16 persona, të gjithë thanë se Momir Pantiqi i urdhëroi gjuajtjet në turmë

14:56 | 22 Janar 2026
deshmitari:-ne-protesten-e-9-marsit-1998-u-plagosem-16-persona,-te-gjithe-thane-se-momir-pantiqi-i-urdheroi-gjuajtjet-ne-turme

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të enjten, në gjykimin ndaj dy të akuzuarve për krime lufte, Momir Pantiq dhe Zharko Zariq, në sesionin e paradites është dëgjuar dëshmitari Hajrush Shoshi, i cili dëshmoi për përjetimet gjatë luftës në Kosovë, mes tyre pjesëmarrjen në protestën e 9 marsit 1998, ku kishte mbetur i plagosur. Ai theksoi se të gjithë kishin thënë që Pantiqi ishte ai që urdhëroi të shtënat mbi turmën në protestë.

Dëshmitari i propozuar nga Prokuroria, rrëfeu përjetimet gjatë lufës në Kosovë më 1998-1999, duke përshkruar dëbimin nga shtëpitë e tyre, kolonën për në Shqipëri dhe pjesëmarrjen në protestë ku kishte mbetur i plagosur, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Më 7 maj 1999 ka ndodhë sulmi në lagje dhe jemi zhvendosë afër një fshati ku kemi qenë të grumbulluar mijëra qytetarë dhe nga aty është urdhëruar që të shkojmë në drejtim të Shqipërisë, ka filluar të lëvizin kolonat me traktorë dhe me makina të vogla, ndërsa kah ora 17:00 është ndaluar kolona dhe pjesa tjetër janë ndalur në fshat. Ne kemi udhëtuar me traktor, ku kemi qenë diku 25 persona”, tha Shoshi.

Ai deklaroi se mëngjesin e 8 majit 1999 kishin mbërritur në Kukës, derisa theksoi se rrugës janë maltretuar.

“Gjatë rrugës kemi pas edhe maltretime të ndryshme, kështu kemi vazhduar deri në Shqipëri”, tha Shoshi.

Dëshmitari Shoshi shtoi se më 7 maj në fshatin Kashicë ishin vrarë tre persona, trupat e tyre ishin larguar nga shtëpitë e më pas ishin djegur nga forcat serbe.

“Më 7 maj para se me fillu sulmi në fshatin Kashicë janë ekzekutuar tre qytetarë. Atë ditë tek ne kanë qenë vetëm forcat policore dhe nuk kam pa asnjë forcë ushtarake, ka pas forca të veshura me uniforma të zeza të njesisë speciale. Edhe kur kemi qenë duke ecë në kolonë në Staradran janë ndalu një numër i madh i të rinjve të cilët më pas janë dërguar në burgje, fillimisht në Gurrakoc e pastaj në Serbi”, tha Shoshi.

Dëshmitari u shpreh se të akuzuarit i kishte njohur.

“Momiri më ‘98 e di që ka qenë kryeshef i Policisë, më ‘99 nuk e di. Në stacionin policor në Istog. Të akuzuarin Zharko e kam njohur më herët. Më kujtohet që në vitin 1992 ka qenë shef i policisë në stacionin policor në Rakosh, unë atëherë kam qenë mësimdhënës dhe më ka ra me pa”, tha Shoshi.

Dëshmitari Shoshi rrëfeu edhe momentin e plagosjes në mars të vitit 1998 kur ishte pjesë e protestës, që siç thotë ai, ishte gjithëpopullore.  Ai deklaron se në atë protestë ishin plagosur 16 persona, ndërsa më vonë kishte kuptuar se urdhrin për të gjuajtur në drejtim të protestuesve e kishte dhënë i akuzuari Momir Pantiq.

“Më 9 mars 1998, rreth orës 11:00 në rrugën Istog-Gurrakoc, ne kemi qenë duke shkuar në protestë gjithëpopullore dhe në hyrje të Istogut kanë dalur forcat policore në rrugë, kanë qenë me mbrojtëse të xhamit përpara, edhe na është urdhëruar që të ndalohemi dhe nuk e di si ka ardhë deri te ky urdhër që policia të hapë zjarr, dhe më kujtohet fjala ‘Pucanje’ ku në atë rast kam qenë i plagosur. Nga aty qytetarët më kanë marrë dhe më kanë çu tek një ambulantë private në Banjë. Ndihmën e parë e kam marrë tek Naim Loxhaj, aty ndërkohë ka ardhë komandanti i stacionit policor, Dimiqi i cili ka marrë shënime dhe më është lejuar që të shkoj për Pejë. Të gjithë kanë thënë që ka qenë Momir Pantiqi që ka dhënë urdhër për të gjuajtur në turmë, fjalën ‘pucanje’ kurrë nuk e harroj”, tha Shoshi.

Paraprakisht, gjykimi në këtë rast filloi rishtazi pasi anëtari i trupit gjykues, Arben Hoti është avancuar në Gjykatën e Apelit. Ai u zëvendësua me gjykatësin Rrahman Beqiri.

Me këtë rast, të gjitha veprimet e deritashme u konsideruan të lexuara.

Ndryshe, gjykimi në këtë rast po vazhdon edhe në sesionin e pasdites, që sipas planifikimit të kësaj Gjykate, do të vazhdohet me dëgjimin e dëshmitarit Ylber Lipa.

Sipas aktakuzës së ngritur më 1 shtator 2024 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ish-kryeshef i stacionit policor në Istog, Momir Pantiq dhe ish-polici Zharko Zariq, ngarkohen se në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale “Krimi i luftës kundër popullsisë civile”.

Sipas aktakuzës, të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, më datën 19 maj 1999 në fshatin Dubravë, saktësisht në burgun e Dubravës pas bombardimeve të NATO-s ku si pasojë kishin mbetur të vrarë 3 të burgosur shqiptarë, Pantiq si kryeshef i stacionit policor bashkë me forcat policore serbe kishin shkuar për të marrë kontrollin e situatës dhe pasi pushuan bombardimet në përbërje edhe të gardianëve kanë hyrë në dhomat e të burgosurve dhe kanë ushtruar dhunë sistematike, duke i rrahur në mënyrë mizore dhe çnjerëzore, vetëm për faktin se ishin shqiptarë.

Në aktakuzë thuhet se bombardimet e NATO-s kanë vazhduar edhe më 21 maj, ku mbetën të vrarë 18 të burgosur shqiptarë dhe dhjetëra të tjerë të plagosur. Ndërsa, një ditë pas në mëngjes gardianët, të burgosurit, serbë të armatosur bashkë me forcat policore dhe Njësitë Speciale të cilët gjendeshin nën komandën e Stacionit Policor në Istog, fillimisht i kanë mbledhur të burgosurit shqiptarë në fushën e sportit dhe më pas, siç thuhet në aktakuzë filluan të gjuajnë me armë zjarri të llojeve të ndryshme, kurse nga mbrapa murit të burgut kanë gjuajtur me bomba në drejtim të burgosurve shqiptarë.

Gjithmonë, duke iu referuar aktakuzës, forcat policore serbe të Stacionit Policor në Istog, nën udhëheqjen e Pantiqit po ashtu, kidnapuan një civil shqiptar me pseudonimin “A1”, të cilin e dhunuan seksualisht. Përveç viktimës “A1”, në aktakuzë përshkruhet dhunimi i një viktime tjetër- “B1”. Dy të pandehurit, po ashtu akuzohen për vrasje të disa familjeve në Komunën e Istogut. /Betimi për Drejtësi/

Komento: