“Veç ja kom fut, çka më ka ardhë te goja”, dëshmitari pranon që ka gënjyer në polici.
Dëshmitari Astrit Grajqevci, në seancën e së premtes ka deklaruar se deklarata e tij në polici ka qenë e rrejshme, lidhur me rastin ku Florim dhe Florent Krasniqi, Taulant Bilalli, Sadat dhe Samed Murati, Haki Maloku, Bekim Hasani dhe Izet Koplinger, akuzohen se si grup kriminal kishin falsifikuar dokumente të udhëtimit me qëllim të mundësimit të migrimit.
Një gjë të tillë, dëshmitari Grajqevci e ka pohuar, duke u përgjigjur në pyetjet e anëtarit të trupit gjykues, gjykatësit Valon Kurtaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kjo për shkak se paraprakisht, prokurorja speciale Habibe Salihi e pyeti Grajqevcin se a e dinte me çfarë merreshin të akuzuarit Sadat dhe Samed Murati, përveç se me bujqësi e me blegtori.
Kurse, dëshmitari Grajqevci tha se e kishte kuptuar nga një shok se “këta merren me do karta, me do sene”, e që tha “demek do viza të Zvicrës”.
Mirëpo, ai tha se asnjëherë nuk e ka referuar apo e ka dërguar dikë tek të akuzuarit Murati.
Tutje, prokurorja speciale Habibe Salihi e ballafaqoi Grajqevcin me deklaratën e dhënë në polici, me arsyetimin se deklarata e 6 majit 2021 dallon nga deklarata e sotme në gjykatë.
“Kur kam qenë atë ditë në stacion policor, i kam pa dy policë që janë sjellë keq me Sadatin dhe Samedin”, tha dëshmitari, duke theksuar se i kanë sharë këta të fundit.
Sipas tij, nga frika i ka dhënë disa emra, vetëm për të përfunduar punë dhe për t’u larguar.
“Unë prej tute veç i kom jep do emra, veç me kry punë edhe me ec”, shtoi Grajqevci.
Për këtë arsye, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Kujtim Krasniqi e detyroi që në vazhdim të seancës, Grajqevi të japë dëshminë e tij nën betim.
Tutje, prokurorja speciale Salihi i lexoi pikat kryesore të deklaratës së tij në polici, ku sipas saj, ndër të tjera, Grajqevci ka deklaruar se i ka referuar 10-12 persona tek të akuzuarit Murati që nga viti 2020.
Në lidhje me këtë, Grajqevci tha: “veç ja kom fut, çka më ka ardhë te goja”.
Krejt në fund, duke u përgjigjur në pyetjet e gjykatësit Krasniqi, Grajqevci tha se deklaratën e dhënë në polici e ka nënshkruar pa kërcënim, mirëpo tha se as nuk e kishte lexuar përmbajtjen e asaj deklarate.
I njëjti shtoi se ato që i ka thënë kanë qenë vetëm skenarë dhe se nuk është e vërtetë ajo që ka deklaruar.
Ndryshe, në këtë seancë në cilësi të dëshmitarëve janë dëgjuar edhe Xhevdet Barduzi, Besim Islami, Arsim Berisha si dhe Xhafer Tahiri.
Gjithashtu, në këtë seancë, me deklaratën e dhënë në polici u ballafaqua nga prokurorja speciale edhe dëshmitari Barduzi.
Sipas prokurores speciale Salihi, Barduzi në polici kishte deklaruar se i akuzuari Sadat Murati në lidhje me përkthimin e një autorizimi në mënyrë të rregullt, i kishte thënë J. se “kjo punë kushton 4 mijë deri 5mijë euro”, mirëpo sipas tij, më pas i akuzuari Sadat i kishte thënë se këtë punë po ia kryen për 850 euro, pasi që po e njeh.
Këtë deklaratë të tij, dëshmitari Barduzi nuk e kundërshtoi, duke e pohuar se ka deklaruar që atë ditë Sadatit i janë dhënë 400 euro.
Po ashtu, sipas prokurores, Barduzi në polici kishte deklaruar edhe se F.B. kishte paguar 250 euro për një patentë shofer të Sllovenisë, me fotografi të F.B., por me të dhëna tjera, duke shtuar se për pagesën prej 250 euro F.B. i kishte treguar më vonë.
Ndërsa, i pyetur nga mbrojtësi i të akuzuarit Sadat, avokati Blerim Cakolli, se a i kishte parë paratë që i janë dhënë të akuzuarit Sadat, Barduzi tha se për 400 euro të J., po, mirëpo për F.B. jo.
Ndërkaq, në lidhje me dëshmitarin Besim Islami, mbrojtësi i të akuzuarit Hasani, avokati Naim Rudari i propozoi gjykatës që i njëjti të njoftohet se lirohet nga detyrimi për dëshmi nga neni 127, nënparagrafi 1.2, pasi që sipas i njëjti është në lidhje farefisnore me të akuzuarin Hasani.
Mirëpo, trupi gjykues refuzoi këtë propozim, e që në lidhje me këtë gjykatësi Krasniqi tha se duke pasur parasysh lidhjen e gjakut, kjo dispozitë nuk e liron nga detyrimi për të dëshmuar dhe se vepra me të cilën akuzohet Hasani është krim i organizuar dhe se maksimumi i dënimit nuk është i përkufizuar.
Ndër të tjera, dëshmitari Islami tha se i akuzuari Hasani vetëm i kishte treguar një djali për ambasada, se ku merret viza për Kroaci ose Slloveni.
Seanca e radhës u caktua më 31 tetor 2022.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 27 tetor 2021, Florim Krasniqi, Florent Krasniqi, Taulant Bilalli, Sadat Murati, Samed Murati, Haki Maloku, Bekim Hasani dhe Izet Koplinger, nga muaji mars 2020 deri më 24 mars 2021, duke vepruar si grup i organizuar kriminal, kanë kryer veprën penale të kontrabandimit me migrantë.
Sipas aktakuzës, grupi i udhëhequr nga Florim Krasniqi i cili ka krijuar laboratorin për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara, në role të ndara si anëtarë të grupit kriminal përmes të pandehurve Florent Krasniqi, Haki Maloku, Izet Koplinger, Sadat Murati, Samed Murati, kanë siguruar persona që kishin për qëllim migrimin nëpër vende të ndryshme të Evropës.
Në aktakuzë thuhet se përmes Bekim Hasanit kanë dërguar këto dokumente tek qytetarët e ndryshëm, përmes postave të shpejta apo edhe vetë personalisht, ndërsa i akuzuari Taulant Bilalli në bashkëveprim me të pandehurin Florim Krasniqi, kanë falsifikuar dokumente të ndryshme, ashtu që me qëllim që vetes t’i sjellin dobi pasurore të kundërligjshme deri në 4 mijë euro për falsifikimin e një dokumenti kanë kontrabanduar shtetas të Republikës së Kosovës, fillimisht kanë gjetur shtetas që kanë dashur të migrojnë në vendet e ndryshme si Rumani, Itali, Francë, Mbretëri të Bashkuar, Zvicër, Kroaci, Slloveni, Spanjë, etj.
Tutje në aktakuzë thuhet se pas sigurimit të lëndës së parë për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara, kanë bërë prodhimin, furnizimin apo sigurimin e dokumenteve të falsifikuara, (të rrejshme) të udhëtimit ose të identifikimit, leje qëndrime të ndryshme, me qëllim të mundësimit të kontrabandimit me emigrantë, në atë mënyrë që fillimisht u kanë marrë të dhënat, kanë prodhuar dokumentet e ndryshme si pasaporta, letërnjoftime, patentë shofer të shteteve të ndryshme si Rumanisë, Italisë, Francës, Mbretërisë së Bashkuar, Zvicrës, Kroacisë, Sllovenisë, Spanjës etj; por dhe dokumente të ndryshme të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, të pandehurit Florim dhe Florent Krasniqi, në Prishtinë, në lagjen “Arbëria” në objektin “Ambasador” gjatë vitit 2019 e tutje, në vazhdimësi dhe në bashkëveprim me të pandehurit e tjerë, pasi e kanë siguruar lëndën e parë me qëllim të falsifikimit të dokumenteve kanë krijuar një laborator për prodhimin e tyre.
I pandehuri Izet Koplinger, në bashkëveprim edhe me të pandehurit e tjerë me qëllim të përfitimit material në mënyrë të kundërligjshme, ka ndërmjetësuar në falsifikimin e dokumenteve të veturës ku çmimet për këtë kanë qenë 2 – 3 mijë euro.
Gjithnjë sipas aktakuzës, të pandehurit Sadat Murati dhe Samend Murati, në bashkëveprim edhe me të pandehurit e tjerë, vazhdimisht janë marrë me falsifikimin e dokumenteve, me qëllim të përfitimit për vete, qytetarëve të ndryshëm u ka siguruar dokumente të falsifikuara, me qëllim të kontrabandimit, ashtu që për falsifikimin e një patentë shoferi slloven kanë përfituar shumën prej 250 euro, për përkthimin e një autorizimi kanë përfituar shumën prej 850 euro.
Po ashtu, aktakuza thotë se kanë falsifikuar vërtetimin për COVID-19, për falsifikimin e dokumentit gjerman me vizën e Sllovenisë apo Kroacisë.
Izet Koplinger po ashtu akuzohet për armëmbajtje pa leje. /BetimipërDrejtësi