
Në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rigjykimin ndaj të akuzuarit për krime lufte Dushko Arsiq, janë dëgjuar dëshmitarët Gani Krasniqi dhe Arsim Maqedonci. Dëshmitari Krasniqi dëshmoi se Arsiq ia kishte maltretuar djalin, duke e detyruar ta barte në shpinë një person të vrarë.
Dëshminë para trupit gjykues e nisi i pari dëshmitari Krasniqi, i cili tha se djali i tij ishte maltretuar nga tani i akuzuari Arsiq, emrin e të cilit e kishte kuptuar pas ngjarjes, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Kam dalë e pash u çelë dera e oborrit, e kam pa që hyri djali i përgjakur dhe mezi që ecke. Gjakun e kishte tek sytë edhe në gjoks”, tha Krasniqi.
Derisa rrëfeu bisedën që e kishte bërë me djalin, Krasniqi tha se djali i tij ishte detyruar që ta barte trupin e viktimës B.Sh., ndërkohë që ishte rrahur gjatë rrugës. Sipas tij, aty ishin Dragani, Bobani dhe Dushko.
“E kam pyet kush të bani kështu, çka ki? Ka thanë se te shpija e Smajlit e kanë rrahur Dushko Arsiqi edhe e ka vra edhe një djalë aty t’u kalu, ma kanë ngarku në shpinë edhe shqelma t’u e rrah e kanë çu deri te ara e Smajlit, rreth gardhit aty që është një rrugë e vjetër. Më ka tregu se më së shumti ka përjetu dhimbje kur u ngrit me trupin e atij djalit në shpinë, këtë nuk e harroj kurrë”, tha Krasniqi.
Më pas, u dëgjua edhe dëshmitari Maqedonci, i cili deklaroi se mbetet pranë dëshmisë së dhënë paraprakisht.
Sipas planifikimit të kësaj Gjykate, në radhë për dhënien e dëshmisë ishte dëshmitari Arsim Krasniqi, mirëpo kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismaili konstatoi se ai nuk e ka pranuar ftesën në mënyrë të rregullt.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 2 shkurt 2024 e ka dënuar me 13 vjet burg të akuzuarin Arsiq. Por, Gjykata e Apelit e ka kthyer rastin në rigjykim.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale më 2 nëntor 2022, thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se Arsiq në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të Policisë serbe dhe grupet paramilitare, në muajt janar-qershor 1999, ka marrë pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen e qytetarëve nga Prishtina dhe rrethina. Aktakuza e ngarkon Arsiqin se bashkë me grupin tjetër kanë filluar të bëjnë plaçkitjen e shtëpive, si dhe më pas me qëllim të dëmtimit të pronës së shqiptarëve ia kanë vënë zjarrin.
Aktakuza e bën përgjegjës Arsiqin edhe për keqtrajtimin e civilëve shqiptarë, plagosje, si dhe për vrasje.
Arsiq akuzohet se ka marrë pjesë në ekzekutimin e tani të ndjerit B.Sh., ashtu që më 20 prill 1999, në fshatin Butovc të Komunës së Prishtinës, në vendin e quajtur “varrezat e Maqedoncve”, derisa viktima kishte qenë duke ecur, e kanë gjuajtur me pushkë automatike dhe pasi që e kanë goditur, e kanë urdhëruar të dëmtuarin A.K., i cili atë kohë ishte 15 vjeçar, që trupin e viktimës B.Sh., ta mbajë në shpinë edhe pse i dëmtuari ka pasur lëndime të konsiderueshme fizike për shkak se i akuzuari paraprakisht e kishte maltretuar fizikisht dhe psiqikisht, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë.
Me këtë, Arsiq akuzohet se ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të RSFJ-së. /BetimipërDrejtësi/