Dështimi në Këshillin e Evropës, dështim i Kurtit dhe i Kosovës

18:03 | 15 Maj 2024
deshtimi-ne-keshillin-e-evropes,-deshtim-i-kurtit-dhe-i-kosoves

Vendet aleate po kërkojnë dërgimin e draft-Asociacionin në Gjykatën Kushtetuese, si kusht për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Javën e kaluar, kryeministri Kurti deklaroi se nuk zbatohet një kusht i tillë.

Ndërkaq, Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla thotë se gjasat që aplikimi i Kosovës të jetë në agjendën e takimit të KiE-së janë 50/50.

Gjatë ditës së djeshme, Zv.ministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, njofton se aplikimi i Kosovës në KiE nuk u vendos në agjendën e ministrave, kësisoj ai konfirmoi se votimi ka gjasa të shtyhet.

Për deputetët e opozitës, mos anëtarësimi eventual i Kosovës, në mbledhjen e Komitetit të Ministrave me 16-17 maj, bie direkt në përgjegjësinë e Qeverisë, duke e quajtuar atë dështim të tyre. Edhe për njohësit e çështjeve politike, humbje e madhe do të jetë për Kosovën në rast të mos anëtarësimit në KiE, dhe dëmet, sipas tyre, do të jenë të pariparushme

Krasniqi e LDK-së: Dështimi ka vetëm një emër, Albin Kurti

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi thotë për “Front Online” se Kosova meriton të jetë pjesë e KiE. Sipas saj kryeministri ka premtuar dhe ka gënjyer aleatët e vendit dhe kjo përgjegjësi e dështim kanë vetëm emrin e Albin Kurtit.

“Nëse kryeministri Kurti i ka premtuar dhe i ka gënjyer aleatët tanë atëherë përgjegjësia dhe dështimi ka vetëm një emër, Albin Kurti. Sot Donika Gërvalla deklaroi se 50 me 50, është kjo çështje që mund apo jo të zgjidhet? Ministrja Gërvalla e ka humbur rrugën dhe nuk kanë logjikë fjalët e saj. Nuk e ka haberin se çfarë ka premtuar Kurti dhe Osmani para miqëve tanë. Madje deklaron se, drafti i pranuar nga Kurti qenka sikur Republika Srpska në Bosnjë. Asnjëherë nuk kemi qenë më dobër në arenën ndërkombëtare dhe pjesë e këtij dështimi është edhe zonja në fjalët”, tha Krasniqi.

Deputetja e LDK-së thotë poashtu se nëse qeveria është zotuar se do të ndërmarr hapa për krijimin e asociacionit atëherë barra është mbi qeverinë dhe duhet të japin përgjegjësi para qytetarëve.

“Ne shpresojmë që do të ketë reflektim nga ana e Qeverisë përë t’i bindur aleatët tanë lidhur me ato që janë dakorduar. Republika e Kosovës e meriton të jetë pjesë e KiE-së dhe kemi punuar shumë për anëtarësim në këtë organizatë. Nëse qeveria është zotuar se do të ndërmarr hapa për krijimin e asociacionit atëherë barra është mbi qeverinë dhe duhet të japin përgjegjësi para qytetarëve”, tha ajo për Front Online.

Berisha i PDK-së: Anëtarësimi i Kosovës në KiE është shanc i humbur

Hisen Berisha nga PDK-ja thotë për “Front Online” se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE) është shanc i humbur.

Berisha tha se nëse veç nuk jemi në agjendë për takimin e 16 majit, perfundimisht është humbur shpresa që ketë vit të anëtarsohemi në KiE

“Po, kjo është shanc i humbur. Edhe pse integrimi i plotë i Kosovës në mekanizmat evropian e botëror, është i penguar, deri sa Kosova është me Rezolutë 1244. Kryeministri si rregull ka pretenduar që në momentin qe ka pranuar draft starutin për Asociacionin, ta dergoj në kushtetuese, koshient mbi rrezikun që sjellë për integritetin e sovranitetin politik të vendit. Kurse sa i përket anëtarësimit në KiE, nëse veç nuk jemi në agjendë për takimin e 16 majit, perfundimisht është humbur shpresa që ketë vit të anëtarsohemi në KiE”, tha Berisha.

Sipas tij, qeveria “Kurti” e ka ditur këtë fakt por është përdorur për të mbuluar deshtimet tjera të tyre.

“Në fakt ketë e kanë pasur të ditur vetë qeveritarët por është përdorur për të mbuluar deshtimet tjera, siç është kalim nën sovranitet politik të Serbisë, me mijëra hektar toka Kishës serbe në hierarki të Sinodit rus në Dedinje të Beogradit, përkundër kauzës elektorale “se edhe deshmorët të çohen nga varret, nuk mund të japin toka…”! Dhe krejt ky dështim është pasojë e veprimeve të dëmshme karshi dialogut që ka zhilluar kjo qeveri, pra pasojë e Marrëveshjes së Brukselit-Plani franko – gjerman dhe Aneksit të Ohrit, ku qeveria e ka futur vendin në marrveshje dhe obligime kontraktuale ndërkombëtare. Obligime këto antikushtetuese që nuk mund të zbatohen, ngase s’do të mund ta kalonin as filtrin kushtetues dhe as Kuvendin. Kështu që moszbatimi, tani sjellë konsekuenca politike, ekonomike e të sigurisë për vendin”, tha Berisha.

Poashtu Berisha thekson se kushtëzimet ndërlidhen edhe me zhvillime tjeta politike, diplomatik e të sigurisë ndërkombëtare.

Dhe, sipas tij, mirë do të ishte që obligimet që ka marrë Kurti, të mos zbatoheshin, sepse po e zhbëjnë shtetin duke e henikepuar funksionaltetin institucional kushtetues.

“Përkundër pasojave e kushtëzimeve në përmbylljen e procesit të shtetësisë dhe dialogut me Serbinë, që i faturohet zvarritjes në kohë që shkaktoi në proces Kurti, sot kushtëzimet ndërlidhen edhe me zhvillime tjeta politike, diplomatik e të sigurisë ndërkombëtare. Pra, kjo është pasoja e reformatimit të dialogut e marrëveshjeve të arritur. Tani nga Marrëveshja e Brukselit “All in one”, me njohjen si kusht për Serbinë, që gjeneron nga Marrëveshja e Uashingtonit është pa njohjen dhe e kushtëzuar me “Zajednicë”. Nga prizmi personal politik, mirë kishte qenë që obligimet që ka marrë Kurti, të mos zbatoheshin, sepse po e zhbëjnë shtetin duke e henikepuar funksionaltetin institucional kushtetues dhe duke shkelur parimin e unitaritetit. Por, e keqja eshte se ato obligime po zbatohen në heshtje pa u vërejtë, ashtu siç ndodhi me token e manastirit të Deçanit, negocimin e dinarit si valuta e parë zyetare në vend, izolimin e sanksionet e BE, etj”, tha Berisha për Front Online.

Kadrija, AAK: Për shkak të votave, Kurti po e luan politikën e mos dërgimit të Asociacionit për interpretim

Anëtarja e Komisionit për Punë të Jashtme, njëherit deputete e AAK-së, Time Kadrijaj ka deklaruar se për anëtarësimin në KiE ka humbur momentumi.

Kadrijaj thotë se AAK ka kërkuar detaje nga Qeveria për kushtet por s’ka marr përgjigje.

“Në njëfarë forme e kanë humbur momentumin për anëtarësim në KiE. Ne i kemi pasur shqetësimet tona dhe i kemi thënë kësaj Qeverisë se a është i vetmi kusht, ka qenë tokat e manastirit të Deçanit dhe nuk kemi marrë përgjigje. Ne se kemi ditur se kjo Qeveri nuk ka punuar, por as ministria e Punëve të Jashtme, as të tjerët, dhe nuk e kemi pasur të qartë a ka kërkesa tjera. Në fund po del që është edhe një kërkese tjetër, që të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese çështja e asociacionit”, theksoi Kadrijaj.

Deputetja Kadrijaj është skeptike që Kosova mund të hyjë në rend dite në muaj në vazhdim në Këshill.

Ajo thotë se nga delegacioni kosovar është lobuar shumë për vota.

“Kosova në rend dite, nuk ka hyrë që ka pasur të hyjë në këtë muaj, a do të hyjë në rend dite muajt në vazhdim nuk e kom të qartë dhe pse është punuar shumë, kanë punuar grupi i deputetëve që janë pjesë e Asamblesë të KiE-së, që kanë qenë një delegacion e përbërë prej të gjitha partive politike por edhe Komisioni për Punë të Jashtme ka punuar shumë, poashtu edhe Komisioni për Integrime duke lobuar dhe duke kërkuar votë”, thotë deputetja.

Nëse nuk ndodh anëtarësimi i Kosovës në KiE, dështimi i shkon Qeverisë Kurti.

Kështu po deklaron për Front Online deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj.

Kadrijaj thotë se pasi jemi në vit zgjedhor, Kurti po e luan politikën e mos dërgimit për interpretim për Asociacionin.

“Në rast të mos anëtarësimit, kjo është thjesht një dështim i Qeverisë “Kurti” sepse ne po e dimë shumë mirë se Kurti e ka pranuar Marrëveshjen e Brukselit , e ka pranuar aneksin e Ohrit, Kurti me letër zotimi të nënshkruar në fakt e kanë pranuar se do të zbatojnë Marrëveshjen për normalizim të raporteve me Serbinë, ku përfshihet edhe Asociacioni. Ndërsa duke qenë se jemi në vit zgjedhor, për shkak të votave po e luan këtë politikë se nuk do ta dërgojë për interpretim Asociacionin”, përfundoi Kadrijaj.

Demhasaj: Dështim i Qeverisë por më shumë i shtetit nëse nuk anëtarësohemi në KiE është humbje e madhe

Arton Demhasaj, njohës i çështjeve politike në një prononcim për Front Online ka folur për mundësinë e fundit për anëtarësimin e Kosovës në KiE.

Demhasaj ka përmendur dy mundësi që sipas tij rrisin përkrahjen në Këshill.

Sipas tij, shtyrja e rregullores për dinarin nga Kurti do të rriste përkrahjen më anëtarësim.

“Shpresat nuk kanë humbur se ende ka kohë se kushti që është vendosur nga Franca, Gjermani që Kosova ta bëjë hapin e parë për Asociacionin, deri në momentin e fundit nëse Kosova lëviz atëherë ka gjasa që të bëhet pjesë e KiE. Kurti me i pranuar kërkesat e ndërkombëtarëve që me shty rregulloren e dinarit për një kohë merr përkrahje për anëtarësimin në KiE dhe ndoshta mundët edhe me i bindë por mbetët me u pa. Këto janë dy mundësitë që Kosova me marr më shumë përkrahje”, u shpreh Demhasaj.

Nëse nuk ndodh anëtarësimi në KiE fatura i shkon Qeverisë aktuale, thotë Demhasaj.

“Dështim i Qeverisë por më shumë i shtetit nëse nuk anëtarësohemi është një humbje e madhe. Ne e kemi provuar njëherë me çështjen e demarkacionit e kemi humbë për një kohë të gjatë liberalizimin e vizave edhe pse e kemi votuar për një kohë të gjatë nuk i kemi fituar vizat. Ky mund të jetë një shans i fundit që të anëtarësohet Kosova por fatura kryesore i shkon qeverisë nëse nuk bëhemi”, deklaron Demhasaj.

Avni Arifi: Do jetë humbje vështirë e riparueshme nëse Kosova nuk anëtarësohet në KiE, fitore për Vuçiqin

Ish-kryenegociatori për dialogun Kosovë-Serbi, Avni Arifi nëse Kosova e humb shansin për anëtarësim në Këshillin e Evropës e ka cilësuar si humbje të riparueshme.

Sipas Arifit, mos anëtarësimi do të jetë fitore për Vuçiqin.

 “Nëse ndodh ndonjë mrekulli dhe hyjmë në agjendë me propozimet e Bakojanis me të vërtetë do të ishte fitore e Kosovës si në llotari. E nëse nuk hyjmë në agjendë atëherë Kosova dha një fitore të madhe pothuajse historike Vuçiqit dhe i ndihmon popullaritetit të tij me Serbinë kurse Kosovës humbje vështirë të riparueshme”, tha Arifi.

Arifi ka akuzuar kryeministrin Kurti që e ka mbajtur të fshehur kushtin për draftin e statutit të Asociacionit.

Refuzimi i draftit nuk i shërben Kosovës, vlerëson Arifi.

“Sa i përket anëtarësimit kushti po dihet që tre muaj paska qenë që të dërgohet drafti i statutit te Asociacionit në Kushtetuese. Kurti dhe njerëzit e tij e kanë mbajtë fshehur me fanatizëm këtë kërkesë para qytetareve të Kosovës. Më shumë se kaq Kurti nuk e ka dërguar draftin në Kushtetuese dhe për 6 muaj nuk e ka pranuar as nuk e ka refuzuar. Kjo edhe pse ne takimin me Scholz dhe Macron flitet se Kurti ka pranuar të procesoj me Asociacionin. Tash 3 ditë para Këshillit, Kurti e refuzoj draftin. Refuzimi i tij kaq i vonuar ndonëse legjitim dhe i drejtë nuk besoj se i shërben as Kosovës as përpjekje për evitim të Asociacionit. Në fakt dihet siguritë që drafti tjetër do të jetë më i rëndë”, përfundoi Arifi për Front Online

 

 

 

Komento: