Dështojnë Bisedimet e NATO’s me Finlandën e Suedinë

20:44 | 18 May 2022

Finlanda dhe Suedia po synojnë të jenë pjesë e NATO-s.

Të dërguarit e NATO’s nuk arritën një konsensus të mërkurën nëse do të fillonin bisedimet e anëtarësimit me Finlandën dhe Suedinë, thanë diplomatët, ndërsa Turqia përsëriti kundërshtimet e saj ndaj pranimit të dy vendeve nordike.

Të dërguarit u takuan në selinë e NATO-s në Bruksel pasi ambasadorët e Finlandës dhe Suedisë paraqitën kërkesat me shkrim për t’u bashkuar me organizatën ushtarake, një lëvizje që shënon një nga pasojat më të mëdha gjeopolitike të luftës së Rusisë në Ukrainë – dhe që mund të rishkruajë hartën e sigurisë së Evropës.

Diplomatët, të cilët nuk deshën të përmenden për shkak të natyrës së ndjeshme të procedurave, nuk pranuan të thoshin saktësisht se kush ose çfarë po e pengonte procedurën. Ata vunë në dukje mesazhet e shumë prej 30 aleatëve të NATO-s që mirëpresin kërkesat e Finlandës dhe Suedisë.

Ambasadori i Lituanisë Deividas Matulionis tha për mediat suedeze dhe finlandeze se të dërguarit kishin shkëmbyer mendime rreth sigurisë së tyre kombëtare. “Diskutimi ishte për këtë çështje, por i takon Turqisë të komentojë,” tha ai.

Zyrtarët e NATO’s gjithashtu refuzuan të jepnin hollësi. Ata nënvizuan komentet më herët të mërkurën nga Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg, se “ne jemi të vendosur të punojmë për të gjitha çështjet dhe të arrijmë një përfundim të shpejtë”. Takimet dhe kontaktet diplomatike që synojnë zgjidhjen e problemit do të vazhdojnë.

Por Turqia është aleati i vetëm që ka shprehur qartë kundërshtimin e saj. Presidenti Reccep Tayip Erdogan këmbëngul se Finlanda dhe Suedia duhet të tregojnë më shumë respekt për shqetësimet turke rreth terrorizmit. Ai po refuzon të heqë dorë nga ajo që ai thotë se është mbështetja e supozuar e këtyre dy vendeve për militantët kurdë.

Presidenti Erdogan akuzon të dy vendet se kanë mbyllur një sy ndaj aktiviteteve të Partisë së ndaluar të Punëtorëve të Kurdistanit, ose PKK’së, edhe pse grupi është në listën e organizatave terroriste të Bashkimit Evropian.

“Ju nuk na dorëzoni terroristët, por na kërkoni që t’ju lejojmë të anëtarësoheni në NATO. NATO-ja është një entitet i sigurisë. Është një agjenci sigurie. Prandaj, ne nuk mund t’i themi “po” heqjes së sigurisë së kësaj organizate”, tha ai të mërkurën, në një fjalim para deputetëve të partisë në pushtet.

Dita filloi me një notë optimiste. Stoltenberg tha fillimisht se aleanca ushtarake është e gatshme për të shfrytëzuar një moment historik dhe për të lëvizur me shpejtësi për të lejuar Finlandën dhe Suedinë të bashkohen në radhët e saj, pasi të dy vendet paraqitën kërkesat e tyre për anëtarësim.

Komento: