Dështon gjykimi ndaj dy të akuzuarve për huliganizëm

17:38 | 27 January 2025
deshton-gjykimi-ndaj-dy-te-akuzuarve-per-huliganizem

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, këtë të hënë ka dështuar të mbahet seanca ndaj të akuzuarve Veron Hasani dhe Valmir Osmanaj, të  cilët po akuzohen për veprën penale “Pjesëmarrje në turmë që kryen vepra penale dhe huliganizmi”.

Seanca ka dështuar të mbahet pasi që munguan dy të akuzuarit e lartcekur, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për të  akuzuarin Veron Hasani, gjykatësi Adnan Kamberi tha se ai është ftuar në mënyrë të rregullt, por i njëjti nuk e ka arsyetuar mungesën e tij. Ndërsa,  për të  akuzuarin Valmir Osmanaj tha se i njëjti e ka njoftuar gjykatën se është jashtë vendit për punë dhe nuk mund të prezantojë në këtë seancë.

Në mungesë të kushteve seanca është shtyrë për një datë tjetër.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të ngritur më 14 korrik 2016, të pandehurit Veron Hasani dhe Valmir Osmanaj, akuzohen se më 12 tetor 2015, gjatë protestës së Vetëvendosjes, me veprime të dhunshme, huligane, kanë hedhur mjete të forta në drejtim të policisë dhe objektit të stacionit policor Qendra, duke thyer kështu xhama dhe dëmtuar muret e këtij objekti, duke shkaktuar dëme e pasoja të rënda.

Për këto veprime, të akuzuarit Hasani dhe Osmanaj po ngarkohen se secili veç e veç kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepra penale dhe huliganizmi” nga neni 412, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në pikën dy të kësaj aktakuze, ish-asamblisti i Vetëvendosjes, Egzon Azemi, akuzohet se më 12 tetor 2015, gjatë protestës së Vetëvendosjes, me dashje dhe me veprime të dhunshme, huligane, ka hedhur mjete të forta- gurë, kuba të betonit, në drejtim të veturave zyrtare, duke dëmtuar veturën zyrtare e parkuar para objektit të Këshillit Prokurorial.

Për këto veprime, Azemi po akuzohet se ka kryer veprën penale “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë” nga neni 333 par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Komento: