Dështon gjykimi ndaj zyrtarit të Komunës së Obiliqit – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Dështon gjykimi ndaj zyrtarit të Komunës së Obiliqit

10:45 | 23 Dhjetor 2019

Ka dështuar të mbahet gjykimi ndaj zyrtarit të Komunës së Obiliqit, Osman Stullqaku, i cili akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Në mungesë të anëtares së trupit gjykues, Nushe Kuka – Mekaj, ka dështuar të mbahet gjykimi ndaj zyrtarit të Komunës së Obiliqit, Osman Stullqaku, i cili akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Kryetarja e trupit gjykues, Naime Krasniqi- Jashanica bëri të ditur se trupi gjykues nuk është në përbërje të plotë pasi gjykatësja Kuka- Mekaj, është e caktuar në rastin e “Veteranëve”, gjykimi i së cilit gjithashtu ka qenë i paraparë të mbahet në të njëjtën ditë dhe kohë.

Prezent në gjykatore ishin prokurori Arian Gashi, i akuzuari me avokatin e tij, Ramiz Kelmendi, pala e dëmtuar e përfaqësuesi i tij, si dhe dëshmitari Nehat Veliu me ekspertin Xhevdet Krasniqi.

Seanca e ardhshme në këtë rast pritet të mbahet më 14 shkurt 2020, me fillim nga ora 9 :30.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 28 dhjetor 2017, Osman Stullqaku, në mes periudhës kohore 2009-2013, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar si i punësuar në Komunën e Obiliqit, ka tejkaluar kompetencat e tij duke mos i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vete ose personin tjetër apo duke i shkaktuar dëm të dëmtuarës Ndërmarrja e Re – toka bujqësore “Shkabaj” me bashkëpronar Besim Elshani.

Prokuroria pretendon se i pandehuri, si kryetar i komisionit për Komasacion në Komunën e Obiliqit duke vepruar në kundërshtim me ligjin e aplikueshëm për komasacion dhe duke u shërbyer me vendime të viteve të 80-ta ua ka mundësuar bartjen e disa parcelave personave të ndryshëm fizik përmes procesit të komasacionit, ashtu që ka bërë tjetërsimin e disa parcelave te të dëmtuarës dhe me këtë veprim të dëmtuarës i janë marrë në mënyrë të kundërligjshme një sipërfaqe e përgjithshme prej 14 hektar e 42 ari e 86 metër katrorë.

Siç pretendon prokuroria, me këto veprime e dëmtuara “Shkabaj”, në bazë të ekspertizës financiare të 21 dhjetorit 2015 është 620.060,00 euro.

Komento: