Për shkak se anëtari i trupit gjykues, gjyqtari Vesel Ismaili gjendet në trajtim mjekësor, ka dështuar të mbahet seanca e së hënës në rastin e njohur si “rasti i 53 milionë eurove”.
Në këtë rast, ish-ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i tij, Nebih Shatri, ish-sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës (MI) dhe Besim Tahiri, drejtor i Prokurimit Publik në MI, po akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Një gjë të tillë e ka bërë të ditur kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Violeta Namani, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas gjykatëses Namani, i njëjti ka njoftuar paraprakisht udhëheqësin e departamentit se për shkaqe shëndetësore nuk mund të prezantoj.
Andaj, në mungesë të kushteve ligjore seanca e sotme u shty, dhe po ashtu seanca e planifikuar për 16 maj është anuluar.
Në këtë seancë ishin të pranishëm edhe Bedri Hamza dhe Fitim Krasniqi, të cilët kanë qenë të planifikuar të dëgjohen sot në cilësi të dëshmitarëve.
Kurse, seancat e radhës u caktuan me 12, 13, 14 dhe 17 korrik 2023.
Ndryshe, edhe në seancën fillestare të mbajtur më 4 maj 2022, Lekaj dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për veprën penale që iu vihet në barrë.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 4 shkurt 2022, ngriti aktakuzë ndaj Pal Lekajt, Eset Berishës dhe Nebih Shatrit.
Ndërsa, më 19 shkurt 2022, PSRK njoftoi se lidhur me këtë rast, më 18 shkurt është ngritur aktakuzë edhe ndaj Besim Tahirit.
Sipas aktakuzës së ngritur më 4 shkurt 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i tij, Nebih Shatri, si sekretar i Përgjithshëm në këtë ministri, në bashkëveprim dhe me dashje edhe me të pandehurin Besim Tahiri, drejtor i Prokurimit Publik në MI, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare