Ka dështuar kërkesa e kryeparlamentarit, Kadri Veseli.
Deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe shoqëria civile i janë përgjigjur negativisht kërkesës së kryeparlamentarit, Kadri Veseli, për krijimin e një komisioni parlamentar për hetimin e listave të fryra të veteranëve dhe njëherësh pastrimin e tyre.
Sipas tyre kjo është një ndërhyrje në gjyqësor dhe keqpërdorim i komisioneve hetimore.
Gjithsesi ka nga ata që mendojnë se Komisioni është ide e duhur. Enver Hoti, deputet nga radhët e Nismës Socialdemokrate, thotë se Komisioni duhet të merret me këtë çështje.
“Qytetarët dhe vetë veteranët e UÇK-së kanë nevojë që të arrihet e vërteta, por e vërteta nuk mund të arrihet duke krijuar trupa paralele”, thotë ai.
“Ne jemi të bindur se institucion kompetent është komisioni”
Por sipas deputetit nga radhët e LDK’së, Driton Selmanaj, çdo përzierje e politikës në këtë çështje do të dëmtojë procesin.
“Kjo është krejtësisht e panevojshme. Është lojë politike e kryetarit të kuvendit”, thotë Selmanaj.
“Ata që duan të përfitojnë me vota me gjakun e njerëzve në kosovë nuk e kanë vendin në politikë”, vazhdon ai, duke drejtuar edhe sulme ndaj Veselit.
Ndërsa as deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk pajtohen me këtë iniciativë të Veselit.
“Komisioni hetimor nga rrethanat e tilla është prolongim i zgjidhjes së këtij problemi”, thotë deputeti Rexhep Selimi.
“Kryetari i parlamentit, si drejtues i koalicionit qeverisës PAN, ka rrugë më të shkurtëra për të ndërhyrë në këtë problem”.
Betim Musliu konsideron se kjo është një ndërhyrje në punën e drejtësisë pasi që lidhur me rastin është ngritur një aktakuzë.