Dështon nisma për importimin e veturave të vjetra deri në 15 vjet

12:25 | 15 May 2019

Ka dështuar nisma për importimin e veturave të vjetra deri në 15 vjet.

Kuvendi i Kosovës është mbledhur sot sërish për të vazhduar seancën plenare me pikat e lëna përgjysmë nga seancat e kaluara, gjithsej 59 sosh.

Fillimisht është bërë shkëputja nga rendi i ditës për pika të caktuara. Me këtë rast në lidhje me projektligjin për automjete, u kërkua që një amendament i riformuar të jetë që veturat që importohen në Kosovë të kenë vjetërsi deri në 15 vite për dallim nga ligji aktual që është 10. Për këtë nuk u votua nga opozita dhe nuk mori votat e mjaftueshme për të kaluar.

Propozuesi, deputeti i PDK-së Mërgim Lushtaku tha se janë dy partitë opozitare që nuk po e votojnë këtë ligj.

“Në pajtim me diskutimet në parlament të Kosovës dhe diskutimin me shumicën e grupeve parlamentare e kam bërë një propozim dhe amendamenti është si në vijim që neni 2 të ndryshohet. Neni 44 i ligjit bazik, paragrafi 2 fshihet a është e qartë… ne e kemi se sa herë këtë projektligj para vetës dhe ne e dina që shumica, cilët deputet dhe parti politike nuk po e votojnë. Është konkretisht partia LDK që nuk e voton këtë propozim dhe VV nuk po merr pjesë. Me shumicën e partive politike jemi dakord që të votohet ky ndryshim. Ky ndryshim të bëhet në Kuvend, herën e kaluar nuk e kemi kthyer në komision, prandaj e kemi bërë këtë”, tha Lushtaku.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti duke përmendur Ligjin për Automjete tha se nuk munden që në prag të votimit të bëhen amendamente dhe për këtë arsye u shpreh se nuk do të votojnë.

“Ky është ligj që ka një kohë që endet në seancat e Kuvendit. Unë po shoh ju po insistoni të nxjerrni në votim këtë propozim, por nuk besoj që mund të nxjerret në votim dhe t’iu kërkohet votat deputetëve për një çështje që është në kundërshtim me rregulloren. Nuk bëhet amendamente ndërkohë ligji tash është vetëm në votim. Asnjë amendament nuk mundet të bëhet në këtë fazë për arsye së nuk është diskutuar në komisionin përkatës”, u shpreh Hoti.

Kurse, votimi në lexim të dytë për Projektligjin për Miniera dhe Minerale gjithashtu nuk kaloi për shkak të mungesës së deputetëve.

Për dallim nga dy projektligjet më sipër, me 61 për vota u votua Shqyrtimi i Kërkesës së Fondit të Kursimeve Penisonale të Kosovës për miratimin e taksave vjetore për vitin 2019.

Komento: