Dështon Shpendi, nuk po mund t’i përfundojë as projektet e mandatit të parë – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Dështon Shpendi, nuk po mund t’i përfundojë as projektet e mandatit të parë

13:32 | 23 Shkurt 2019

Qeverisja në Komunën e Prishtinës nuk po ecën mirë.

Shpend Ahmeti e fitoi një mandat të dytë në fund të vitit 2017 për qeverisjen e kryeqytetit. Por, ende nuk po mundet t’i kryen disa projekte kapitale që i ka nisur në mandatin e parë.

I pari i kryeqytetit as buxhetin e vitit 2018 që e planifikoi me bashkëpunëtorët e tij, nuk ka mundur ta realizojë sipas planifikimeve. Investimet kapitale kanë qenë të miratuara 24,954,207.00 euro, por komuna arriti që të shpenzojë vetëm 16 milionë 793 mijë, ose 67 për qind të planifikimit, shkruan lajmi. net.

Në vitin e kaluar nga Drejtoria e Investimeve Kapitale janë mbikëqyrë 36 kontrata, me vlerë prej 7,461,362.01 euro. Nga këto: pesë projekte janë të ndërprera, tre projektet nuk kanë filluar fare, për shkak të pronës, një projekt-kontratë është shkëputur për shkak të problemeve me cilësinë e punimeve, një kontratë “Renovimi i objekteve të trashëgimisë kulturore: shtëpi banimi Sali Savqi dhe Shkolla e Parë Shqipe. Shkolla e Parë Shqipe është përfunduar, ndërsa objekti-shtëpia e Sali Savqit nuk është punuar, për shkak të mungesës në kontratë të pozicioneve për stabilitet.

Komuna u përballë në vitin e kaluar me plotë projekte që kishin nisur në vitin 2017 dhe 2016. Madje, disa nga to nuk ka arritur t’i përfundojë as deri më tani. Pengesat në të cilat hasi komuna ishin kryesisht të natyrës pronësore. Kjo pasi, Komuna u fut në projekte pa i zgjidhur këto probleme.

Dy vite nuk mjaftojë për një projekt 120 ditësh

Komuna e Prishtinës ka nënshkruar kontratë në vitin 2016 me kompaninë “Rexha” për “Ndërtimi i urave në pjesën perëndimore të Unazës qendrore”. Vlera e projektit është 1 milionë e 969 mijë euro.

Sipas të dhënave të Komunës, deri më tani është në përfundim armirimi i pjesës së parë të urës 194m, ndërsa punimet nuk mund të vazhdojnë sipas dinamikës së kontratës, për shkak të mos dislokimit të hekurudhave

Lajmi.net ka gjetur se “Ndërtimi i stadiumit të futbollit në Hajvali, faza II” ende nuk ka përfunduar, ani pse kontrata është lidhur në vitin 2016 me “Vizion Capital Partners” dhe “Conex Group” SHPK. Plani dinamik i punëve ka qenë 120 ditë. Vlera e projektit ka qenë 414 mijë e 828 euro. Punimet janë duke vazhduar në vendosjen e konstruksionit të mbulesës së tribunave dhe fasadës.

Komuna dhe kompania “Toifor” kanë lidhur kontratë në vitin 2017 për “Ndërtimi i rrugës “Riqard Holbruk” (krahu 1 e 2)”. Vlera është 470,047.05 euro, ndërsa plani dinamik ka qenë 240 ditë. Punimet nuk kanë përfunduar.

Edhe projekti i vitit 2017 që quhet “Ndërtimi i disa rrugëve me kubze betoni në fshatrat Bardhosh, Bërnicë dhe Milevc”, ende nuk ka përfunduar, ani pse punët është dashur të kryhen për 120 ditë. Në këtë projekt është e angazhuar kompania “Kema Company” dhe vlera e projektit është 356,499.74 euro.

Në vitin 2015, Komuna ka lidhur kontratë me kompaninë “Beni Construction” për “Ndërtimi i rrugës paralele me rrugën “B”. Vlera e kontratës ka qenë 279,939.59 euro dhe afati për kryerjen e punëve ka qenë 120 ditë pune. Ky projekt ka mbetur në gjysme. Punimet janë realizuar në pjesën e trasesë, ku nuk ka probleme pronësore. Është bërë përmbyllja e kontratës me prerje të punimeve.

Ndërkohë, më 19 korrik të vitit 2016, Komuna ka nënshkruar kontratë me kompaninë NPN “Vision Projekt” për projektin “Implementimi i projektit “Bllok pas blloku” në lagjen “Bregu i Diellit””. Vetëm 90 ditë ka qenë afti i punëve, por komuna nuk ka arritur ta kryej këtë projekt për rreth dy vite. Andaj, Komuna ka vendosur që t’ia shkëpus kontratën për neglizhencë të punëve. Tashmë kontrata është përmbyllur pa u finalizuar punimet sipas projektit.

Kontrata të pafilluara dhe kontratat e ndërprera

Edhe pse kontratat u nënshkruan që në vitin 2015 dhe 2016, punët nuk nisën as vjet. Kjo ndodhi kryesisht për shkaqe të natyrave pronësore në të cilat hasi komuna që në start.

“Rikonstruktimi i çerdhes në lagjen “Tophane” ishte lidhur me kompaninë “Tribuna” më datë 19.10.2016. Vlera e kontratës 60 mijë e 683 euro. Por, ky projekt nuk ka nisur asnjëherë.

Edhe kontrata për “Ndërtimi i shkollës në lagjen “Kalaberia” është lidhur më 30.10.2015 me kompaninë “Enginering”, por nuk ka nisur. Po ashtu edhe “Ndërtimi i shkollës në lagjen “Mati 1”, ishte lidhur kontratë në vitin 23.07.2015 me kompanitë “Albakos” shpk & “Korben”. Nuk ka nisur as “Ndërtimi i sallës sё edukatës fizike “Shtjefёn Gjeqovi””, kontratë e lidhur më 22.10.2015.

Komuna ka arritur më në fund që të përfundojë në vitin e kaluar disa kontrata të vitit 2014 dhe 2015, siç kanë qenë projektet: Ndërtimi i objektit të IP në lagjen “Kodra e Trimave”. Afati për kryerjen e punëve ka qenë vetëm 120 ditë. Në tetor të vitit 2014 Komuna kishte lidhur kontratë me kompaninë “Olti Trasing” për ndërtimin e sallës së edukatës fizike dhe rikonstruktimi i objektit të SHF “Eqrem Çabej‘‘(aktualisht shkolla “7 Shtatori”). Ndërsa, afati për kryerjen e punëve ka qenë vetëm 100 ditë.

Dështimi me kolektorët

Era e keqe e përroskës, në të cilën dikur kalonte lumi Mat në Kalabri, dhe frika që ndonjë fëmijë mund të bije në të, janë qe shumë vite telashja më e madhe për banorët e kësaj lagjeje. Ky problemë do të vazhdojë edhe sivjet, ani pse komuna po orvatet që dy vite që të rregullojë këtë.

Kontrata për projektin “Ndërtimi i kolektorit betonarme për largimin e ujit atmosferik dhe kanalizimi fekal në rrugën mbi lumin Mat, në lagjen “Kalabria” është nënshkruar me 29. 12. 2016. Plani dinamik, i paraparë në kontratë për këtë projekt ka qenë, 6 muaj ose 180 ditë pune. Gjatë realizimit të punëve, Komuna hasi në probleme pronësore, pastaj tha se kompanitë punëkryese po i neglizhojnë punët. Andaj, Komuna ka vendosur që të shkëpusë kontratën me punëkryesit, duke i lënë punët e pa përfunduara. Vlera e projektit ka qenë 1, 696,063.32 euro, dhe për të Komuna ka paguar pak më shumë se 200 mijë euro. Kompanitë e angazhuara kanë qenë “Jehona” SHPK, NN “Beni Construction” dhe NNP “Arhiko Ing”. Lider i projektit ka qenë kompania “Jehona” nga Malisheva.

Lajmi.net ka dërguar pyetje në zyrën e intimit të Komunës së Prishtinës për të mësuar nëse komuna e ka prishur këtë kontratë me kompanitë, por kjo zyrë nuk ka dhënë përgjigje.

Komuna e Prishtinës dhe kompanitë “Noti Beton” – “Ileaa Gr& Consulting” në vitin 2016 kanë lidhur kontratë për tenderin “Ndërtimi i kolektorit betonarme dhe kanalizimi fekale në rrugën mbi lumin Prishtina”. Vlera ka qenë 2 milionë e 192 mijë euro, dhe plani dinamik për kryerjen e punëve ka qenë 200 ditë. Në këtë projekt nuk është punuar fare në vitin e kaluar.

Sipas Komunës, vonesa ka për shkak të problemeve pronësore, vërshimeve nga ujërat atmosferike, gypi i sistemit të ujitjes “Iber Lepenc”, si dhe disa kushteve tjera të paraqitura. Nuk duhet se kur do të rifillojnë punimet për këtë projekt, i cili përshkon hapësirën nga hoteli “Garden” deri tek tregu i gjelbër në afërsi me Fushë Kosovën. Lajmi.net do të raportojë ditëve në vijim për këtë projekt.

Në probleme pronësore, Komuna ka hasur edhe në disa projekte të vitit 2018.

Komento: