Kryeprokurori i Ferizajt: Sokol Halili kishte shenja jete në vendin e ngjarjes.
Sokol Halili i dyshuar për vrasjen e Hamide Magashit është vetëvrarë sot pasi nuk ka pranuar që t’i dorëzohet Policisë së Kosovës.
Megjithatë Kryeprokurori i Ferizajt, Shukri Jashari, në një përgjigje për Gazetën Express ka thënë se në vendin e ngjarjes Sokol Halili ka pasur shenja jete, megjithatë ka thënë se s’mund ta dinë se kur ka ndërruar jetë.
“Gjatë rrugës s’po mundemi me e ditë. Kur ka shku mjeku e ka konstatu. Ka pasur shenja jete në vend të ngjarjes”, ka thënë Jashari.
Ndërkohë në Klinikën Emergjente të QKUK-së kanë konfirmuar se Sokol Halili ishte dërguar aty pa shenja jete.
Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Express drejtori i Emergjencës Dr. Naser Syla.
“Po është sjellë në Emergjencë por ka qenë pa shenja jete”, ka deklaruar Syla.
Policia e Kosovës ka konfirmuar se Sokol Halili e ka vrarë veten me armëzjarri. Gjithashtu kanë treguar se kishin zbuluar sot rreth orës 13:45 se ai gjendej në shtëpinë e tij, ndërkohë pas dështimit të negociatave për dorëzim, Halili ka vrarë vetën.
“Bazuar në hetimet intensive dhe veprimet operative-hetimore, sot më 02 dhjetor 2022, rreth orës 13:45 njësitet policore kanë arritur të lokalizojë vendndodhjen e të dyshuarit mashkull kosovar, Sokol Halili, viti i lindjes 1991, i cili gjendej në fshatin Davidovc të komunës së Shtimes. Policia e Kosovës me njësitet relevante, ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore përfshirë masat e sigurisë në këtë lokacion, si dhe ka aplikuar masat e negocimit me personin e dyshuar për t’i mundësuar të njëjtit dorëzimin.
Përkundër të gjitha masave të ndërmarra dhe tentativës për negocim, nga njësitet dhe kompetentët policorë i njëjti nuk është dorëzuar dhe me armës zjarri ka kryer aktin e vetëvrasjes”, thuhet në njoftimin e Policisë.