Policia del me njoftim se çka ndodhi në veri ku u rrah kameramani dhe një nxënës.
Policia e Kosovës njofton se 9 nxënës shqiptarë të shkollës së mesme kanë shkuar për shëtitje në Kodrën e Minatorëve që gjendet në Mitrovicën Veriore. Por, teksa po ktheheshin, të rinjtë dyshohet se u përcollën nga një veturë e tipit “Renault”, ku nga kjo veturë persona të dyshuar kanë arritur ta rrahin një nxënës.
Në lokacionin ku po ndodhte kjo ngjarje, sipas policisë ndodhej edhe kameramani i “Insajderit”, i cili më pas u rrah nga të dyshuarit.
Për rastin nuk ka akoma persona të arrestuar.
Njoftimi i plotë i policisë:
Referuar informacioneve të siguruara nga terreni, sot në orët e paradites, një grup të rinjsh nga komuniteti shqiptar, (nëntë) 9 nxënës të shkollës së mesme, kanë shkuar për të shëtitur te lokacioni Kodra e Minatorëve që gjendet në zonën e përgjegjësisë së Mitrovicës Veri.
Këta të rinj pas përfundimit, me t’u kthyer në drejtim të urës kryesore, në afërsi të një udhëkryqi, dyshohet se nga një automjet i tipit Renault (ngjyrë e kaltër), i cili dyshohej se i ka përcjellë/vëzhguar, kanë dalë disa persona të dyshuar, të cilët kanë arritur ta ndalojnë dhe ta rrahin/sulmojnë njërin nga nxënësit, përderisa të tjerët kanë arritur të largohen nga ai lokacion, në drejtim të urës kryesore.
Më pas në atë lokacion ku ka ndodhur rasti i sulmit ndaj nxënësit, përderisa ka shkuar dhe ka qenë në kryerje të detyrës një punonjës (kameraman) mashkull/kosovar i portalit “Insajderi” nga Kosova, i cili ishte duke e xhiruar autoambulancën që po e trajtonte rastin e fëmijës së sulmuar, dyshohet se i njëjti është penguar në kryerje të detyrës si dhe është goditur/sulmuar fizikisht nga personat e dyshuar të cilët dyshohet se mund të kenë qenë personat e njëjtë.
Punonjësit (kameramanit) personat e dyshuar të cilët, sipas viktimës, kishin folur në gjuhën serbe, përveç sulmit/goditjeve të ushtruara ndaj tij, kishin tentuar t’ia marrin me forcë telefonin (celularin), pasi ka incizuar dhe ka pasur dëshmi të rastit. Më pas viktima (kameramani) ka marrë tretman mjekësor në emergjencën rajonale të Mitrovicës Jugu.
Kameramani dhe nxënësit e tjerë në prezencë të zyrtarëve të QPS-së janë intervistuar në stacionin policor, përderisa lidhur me rastin janë njoftuar edhe kompetentët e shkollës të cilës i përkasin nxënësit. Policia e Kosovës me njësitet e saja relevante, në bashkëpunim me organet e drejtësisë në rastin “Sulm&lëndim trupor” që ndërlidhen njëra me tjetrën, është duke kryer hetime, me qëllim të ndriçimit dhe arrestimit të personave të dyshuar.
Njëkohësisht Policia e Kosovës iu bën thirrje të gjithë qytetarëve pa dallime, që të përmbahen nga çfarëdo lloj provokimi apo incidenti i mundshëm, që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës në interes të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike.
Po ashtu, Policia e Kosovës, kërkon nga qytetarët që kushdo që posedon informacione për personat e dyshuar të njoftojë Policinë në numrat kontaktues pa pagesë (192, 0800 19999, 038 550 999), si dhe përmes platformës digjitale “Lajmëro Policinë”. Të gjitha informatat do të trajtohen në anonimitet të plotë.