Policia tregon se kur e zbuloi që Sokol Halili ishte në shtëpi, japin detaje për negocimin.
Policia e Kosovës përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se përmes hetimeve intensive kishte arritur që sot rreth orës 13:45 të lokalizonte vendndodhjen e Sokol Halilit i cili po kërkohej si i dyshuar për vrasjen e Hamide Magashit në oborrin e QKUK-së.
Siç bën të ditur Policia, pas lokalizimit kishin ndërmarrë të gjitha masat e sigurisë ndërkohë kishin filluar edhe negocimin me personin e dyshuar që i njëjti të pranojë dorëzimin.
Megjithatë Policia bën të ditur se pavarësisht të gjitha masave dhe përpjekjes për negocim, Sokol Halili nuk është dorëzuar dhe me armën e zjarrit ka kryer vetëvrasje.
Njoftimi i plotë i Policisë së Kosovës:
Lidhur me rastin e vrasjes së rëndë të ndodhur më datë 30 nëntor 2022, në oborrin e QKUK-së në Prishtinë, Policia e Kosovës me njësitet e saj hetimore dhe operative, në koordinim me Prokurorinë e shtetit, ka punuar intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e personit të dyshuar.
Bazuar në hetimet intensive dhe veprimet operative-hetimore, sot më 02 dhjetor 2022, rreth orës 13:45 njësitet policore kanë arritur të lokalizojë vendndodhjen e të dyshuarit mashkull kosovar, Sokol Halili, viti i lindjes 1991, i cili gjendej në fshatin Davidovc të komunës së Shtimes. Policia e Kosovës me njësitet relevante, ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore përfshirë masat e sigurisë në këtë lokacion, si dhe ka aplikuar masat e negocimit me personin e dyshuar për t’i mundësuar të njëjtit dorëzimin.
Përkundër të gjitha masave të ndërmarra dhe tentativës për negocim, nga njësitet dhe kompetentët policorë i njëjti nuk është dorëzuar dhe me armës zjarri ka kryer aktin e vetëvrasjes.
Lidhur me rastin janë duke vazhduar veprimet e mëtejme nga njësitet relevante policore, përfshirë ekzaminimin e vendit të ngjarjes, përderisa për procedura të mëtejme janë informuar Prokuroria dhe Inspektorati Policor i Kosovës.