Detaje rreth 39-vjeçares nga Istogu që vdiq dje, kishte kontakte me të paktën 20 persona

21:56 | 14 Prill 2020

Kanë dalur edhe disa detaje të tjera në lidhje me 39-vjeçaren nga Istogu që vdiq dje.

Një 39 vjeçare nga Istogu e konfirmuar me koronavirus ndërroi jetë dje.

Viktima, sipas familjarëve dhe mjekëve kishte edhe probleme të tjera shëndetësore, përfshirë komplikime që kishte pasur me lukthin, teksa e njëjta i ishte nënshtruar edhe një operacioni.

E pacientja në fjalë, kishte pasur kontakte edhe me një numër të madh të personave të tjerë, të cilët tashmë janë identifikuar nga ekipet mjekësore.

Drejtori i Shëndetësisë në komunën e Istogut, Mujë Osmanaj, për lajmi.net konfirmoi se pas datës 16 prill, kontakteve të 39-vjeçares në fjalë do t’u bëhen testet për COVID-19.

“Janë identifiku rastet e kontakteve, dhe po presim periudhën prej shtatë ditëve, pra po presim pas të 16-tit. Ka pasur kontakte, janë diku rreth 21 të tilla që janë identifikuar, ngase ajo ka pasur kontakte edhe me ekipin e emergjencës, pastaj me familjarë të ndryshëm në Skenderaj”, bëri të ditur Osmanaj.

Ndryshe, deri tani në Kosovë janë konfirmuar gjithësej 377 raste me koronavirus, teksa Istogu është ndër komunat e fundit që u prek nga COVID-19.

Po ashtu, në Kosovë tashmë janë shënuar tetë viktima dhe 63 të shëruar.

Komento: