
Kanë dalur detaje rreth rasteve të reja me koronavirus në Gjilan.
Të qetë qëndruan për tetë ditë.
Brenda kësaj periudhe kohore nuk pati asnjë të prekur me virusin korona në Gjilan.
Por, ky trend pozitiv u prish të dielën.
Në komunën më të madhe të Anamoravës, pas analizave të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, rezultuan 9 raste pozitive.
E burimi i infeksionit tashmë është identifikuar.
Nga Komuna e Gjilanit, njoftojnë se të gjitha raste burim infeksioni e kanë një klinikë privatë në Prishtinë.
Ndërsa bëhet fjalë për familjen e ngushtë të infermieres dhe disa pjesëtar të repartit të pediatrisë në Spitalin e Gjilanit.
Nënkryetari i Gjilanit, Arbër Ismajli thotë se kjo është hera e katërt që Gjilani ballafaqohet me raste të bartura nga qytetet e tjera.
Ndërsa ka treguar se deri më tani, gjithsej në këtë komunë janë shënuar 61 raste me virusin korona.
Ndërkohë, rikthimi i këtij virusi në Gjilan duket se ka ndikuar në rënien e qarkullimit të qytetarëve.
Banorët e kësaj komune thonë se ende duhet të vazhdojë kujdesi, në luftimin e kësaj pandemie.
Përveç 5 familjeve që po qëndrojnë në izolim nga rastet e fundit pozitive, është edhe një familje tjetër në karantinë, nga rastet e kaluara.
Ndërkohë, nga Komuna e Gjilanit, përveç ndihmave për qytetarët dhe familjet e prekura, planifikon t’i shpërndajë edhe 200 bluza, me emrat e të gjithë donatorëve dhe bamirësve, që kontribuuan në luftimin e covid 19.