Detaje të papritura për 16 vjeҫaren, si po mendonte vajza t’i merrte jetën vetës

14:33 | 10 Shkurt 2019

Ishte publikuar intervista me vajzën e cila si 16 vjeҫare dyshohet se është keqpërdorur nga mësuesi e më pas edhe nga polici.

“Rrëfimi është publikuar pothuajse i plotë por ka disa pjesë që i kemi hequr sepse ka mundur të identifikohet vajza”.

“Ka qenë e pabesueshme që ka mundur të ndodhë në një qytet të vogël si Drenasi që një polic të jetë kaq kapaidi dhe një sistem i tërë shtetëror të mos mund të ndalë keqpërdorimin që i ka bërë kësaj vajze”.

Duriqi në Info Magazine të Klan Kosovës ka treguar se pse kanë vendosur që ta publikojnë intervistën e vajzës që dyshohet se është keqpërdorur nga polici dhe më pas edhe nga profesori.

“Reagimet nga jashtë fillimisht kanë qenë se mos është vetëm një rast sikur rastet e kaluara që del se është i pafajshëm por ne donim që publiku ta dëgjojë rrëfimin e saj dhe ta kuptojë se kjo vajzë nuk është e shtyrë prej pagesës ose inateve brenda Policisë por është thjesht një viktimë që i ka ardhë në fund”.

“Pak para se rasti i saj të bëhet publik në media, vajza ka qenë duke shqyrtuar si mundësi t’ia merrte vetës jetën– kanë qenë momentet e fundit që ajo të shpëtojë prej një krimi që ka qenë zinxhiror”.

Ai ka thënë se vajza nuk po e trillon këtë histori dhe rrëfimi i saj është krejt i vërtetë.

“Kemi qenë edhe më afër sa i përket dokumentacionit – kemi deklaratat e mëhershme që ka dhënë vajza në Prokurori, kemi edhe deklaratat e reja që i ka dhënë në Prokurori – rrëfimi i saj nuk ndryshon”.

“Nuk është një vajzë që po shpik dhe po harron detaje që tregon se është diccka që e ka përjetuar vet. Kanë qenë individë të tjerë që e kanë shtyrë publikimin e këtij rasti dhe nxjerrjen e këtij skandali sepse vajza vazhdimisht ka qenë e frikësuar”.

Gazetari Visar Duriqi ka thënë se nga puna në terren dhe intervistat e realizuara, që do të publikohen së shpejti, del se në Stacionin Policor në Drenas mund të jenë kryer edhe krime të tjera.

“Intervistat që kemi pasë me njerëzit që kanë nxjerrë këtë skandal na kanë thënë që në Stacionin Policor në Drenas ka edhe krime të tjera morbide edhe të natyrave të tjera – raketimi i bizneseve, fshirja e rasteve, mosregjistrimi i denoncimeve, korrupsion masiv dhe madje dyshojnë që ka edhe raste të tjera të tilla”.

“Polici kur është kapur ka refuzuar dhe edhe sot vazhdon të refuzojë të japë telefonin e tij dhe ka dyshime që mund të ketë edhe raste të tjera të natyrës së ngjashme. Kjo mund të jetë arsyeja pse i njëjti nuk e ka dorëzuar telefonin te institucionet e drejtësisë akoma”.

Duriqi ka thënë se duhet që mediat të jenë të kujdesshme sepse identifikimi i viktimës mund të ketë pasoja.

“Kam marrë mbi 30 mesazhe nga njerëzit që më kanë dërguar fotografi meqë unë e kam takuar duke më thënë a është e njëjta vajzë – jam vazhdimisht duke i refuzuar dhe përbuzur këto mesazhe”.

Komento: