Detaje të reja, Ilir Zeqiri në Skenderaj fillimisht u qëllua e më pas u dogj në veturën e tij

19:19 | 09 April 2019

Një rast ii rëndë ka ndodhur në Skenderaj.

Afër varrezave në lagjen “Braha” të fshatit Prekaz i Epërm i Skënderajt, kanë mbetur ende pjesë të veturës së djegur të Ilir Zeqirit, 48-vjeçar.

Rreth orës 19:00 të së hënës, në Prekaz të Epërm të Skënderajt u gjet pa shenja jete Ilir Zeqiri në veturën e tij e cila ishte e djegur bashkë me trupin e tij.

Policia dhe prokuroria në vendin e ngjarjsë kanë gjetur edhe pesë gëzhoja të plumbave. Ata pas hetimeve fillestare po e cilësojnë rastin si të rëndë e dyshimtë, raporton KTV.

“Marrë parasysh gjetjet fillestare në vendin e ngjarjes dhe elementet e tjera rrethanore, sipas prokurorit të rastit, hetimet janë duke u zhvilluar mbi dyshime për vepër penale ‘e rëndë’”, thuhet në njoftimin e Policisë së rajonit të Mitrovicës.

E, në vendlindjen e Ilirit, në fshatin Kopiliq, familjarë, miq dhe të afërm të tij ia kanë dhënë lamtumirën e fundit.

Vëllai Ismajl Zeqiri, i tronditur, thotë se Iliri ishte larguar nga shtëpia në orën 4 të pasdites të së hënës për të punuar me veturën e tij si taksist.

Sipas tij, Iliri nuk kishte pasur problem me askënd dhe nuk kanë asnjë dyshim se kush mund ta ketë kryer rastin e të ndjerit.

Por, i ndjeri vitin e kaluar kishte dëshmuar në rastin e privimit nga jeta të një polici në Skënderaj.

Zeqiri, më 31 janar 2018, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë kishte treguar atë që kishte parë në ditën kur ishe privuar nga jeta Valon Goxhuli, në shtator të vitit 2015.

Disa muaj pas dëshmisë së Zeqirit, Maliq Birinxhiku u dënua me 21 vjet për privimin nga jeta të Goxhulit.

Ish-kryetari i Skënderajt, Sami Lushtaku, ishte i pari që kërkoi hetime të plota për rastin e ish-veteranit të UÇK-së.

Ilir Zeqiri ishte edhe vëllai i dëshmorit Gazmend Zeqiri, dhe ka lënë pas bashkëshorten dhe tre fëmijë.

Komento: