Detaje të reja nga aksioni në Veri, kështu u prangos shtetasi rus

20:38 | 31 May 2019

Policia jep detaje për aksionin në Veri.

Policia e Kosovës ka dhënë informacione shtesë në lidhje me aksionin policor të zhvilluar më 28 maj në disa lokacione nëpër territorin e Kosovës.

Në njoftimin e ri jepen detaje në lidhje me përfshirjen e shtetasit rus në pengimin gjatë kryerjes së detyrave zyrtare nga ana e Policisë së Kosovës, raporton Koha.net.

Aty thuhet se plani policor kishte filluar së zbatuari ashtu siç ishte planifikuar në të gjitha rajonet në të cilat kryesisht kanë kaluar pa incidente, përjashtuar rajonin e Zubin Potokut, ku tek vendi i quajtur “Klisurë”, Policia thotë se persona të panjohur kanë vendosur pengesa në rrugë si drunj, ndezje të zjarrit dhe automjete të rënda, kamionë me pasha të rënda e të tjera.

“Policia në këtë zonë ka hasur në rezistencë të armatosur me armë zjarri nga persona të dyshimtë, ku si pasojë e të shtënave janë plagosur dy zyrtarë policorë, prej tyre njëri më rëndë ndërsa tjetri më lehtë, përfshirë edhe disa zyrtarë të lënduar gjatë veprimeve për të hapur barrikadat e vendosura nga qytetarët. Shumica e të dyshuarve kanë qenë të dhunshëm gjatë arrestimit, dhe si pasojë e kësaj Policia është dashur që ta përdorë forcën e domosdoshme dhe proporcionale me qëllim që të dyshuarit t’i vë nën kontroll”, deklaron Policia.

“Vlen të theksohet se gjatë largimit të barrikadave dhe disa personave që kishin dalë në rrugë me qëllim të pengimit të policisë, disa herë është vërejtur një automjet ‘Toyota’ ngjyrë e bardhë me targa dhe shenja të UN-it, e cila lëvizte bashkë me të dyshuarit në disa lokacione. Drejtuesi i veturës ka ndihmuar protestuesit e dhunshëm duke e vendosur veturën e tij zyrtare në mes të rrugës para personave të dyshuar dhe barrikadës së vendosur, ku në pjesën e pasagjerit është vërejtur se është nxjerr një motosharrë, e cila nga personat e dyshuar është përdorur për prerjen e druve dhe vendosjen e tyre në barrikadë. Edhe përkundër faktit se zyrtarët policorë kanë kërkuar disa herë nga i njëjti që ta lirojë rrugën, duke e përsëritur kërkesën edhe në gjuhën angleze, i njëjti ka refuzuar urdhrat policorë duke mos pranuar të komunikojë, të identifikohet si dhe ta lirojë rrugën”, thekson Policia në njoftimin e ri për media.

Më tej thuhet se zyrtarët policorë, duke u gjetur në një situatë të rënduar në një zonë të rrezikshme, “janë detyruar ta nxjerrin nga makina me forcë dhe ta arrestojnë atë, për ta shoqëruar në polici”.

“Personit në fjalë fillimisht iu është ofruar ndihma mjekësore në spitalin e Mitrovicës. Me urdhër të Kryeprokurorit kompetent të Mitrovicës, personi i UN-it, edhe pse i dyshuar për veprimet e tij të kundërligjshme, duke ia respektuar imunitetin personit në fjalë, nuk i është shqiptuar ndonjë masë e as ndalesë dhe i njëjti është liruar së bashku me veturën e tij dhe ju është dorëzuar stafit të UN-it në Mitrovicë, mirëpo ndaj të njëjtit është proceduar rasti për pengim të zyrtarëve policorë në kryerje të detyrës dhe pjesëmarrjes në turmë”, potencon Policia e Kosovës.

Ndërkaq, Policia e Kosovës, sipas detyrave dhe procedurave policore, pas çdo veprimi operacional thotë se bën vlerësimet pasoperacionale, lidhur me zhvillimin e operacionit ne përgjithësi.

“Meqë ende hetimet janë duke vazhduar, Policia e Kosovës, sipas detyrës zyrtare, është e kufizuar në dhënien dhe publikimin e informacioneve tjera më të detajuara”, ka theksuar Policia e Kosovës.

Policia ka thënë edhe detajet tjera të operacionit, ku thotë se aksioni të ketë pasur për qëllim luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, bastisjen dhe arrestimin disa zyrtarëve policorë, ku ditën e realizimit të operacionit janë arrestuar 19 pjesëtarë të policisë të cilët kanë qenë të dyshimtë, 10 qytetarë që kanë qenë të dyshuar, 9 qytetare të tjerë të cilët kanë penguar zyrtarët policorë në kryerje të detyrës si dhe 1 zyrtar të UNMIK-ut.

Si vazhdimësi e hetimeve lidhur me këtë rast, Policia bën me dije se deri më tani janë arrestuar edhe 3 zyrtarë tjerë policorë, të cilët thotë se kanë qenë të përfshirë në urdhër arrest.

“Të gjithë personat e arrestuar janë trajtuar sipas standardeve dhe procedurave të parapara ligjore, duke respektuar në plotni të drejtat dhe liritë e tyre, të garantuara me ligj”, thekson Policia në njoftimin për media.

Këtij operacioni policor thuhet se i ka paraprirë një hetim disamujor i IPK-së dhe PK-së, me dyshimin e bazuar të përfshirjes së disa zyrtarëve policorë dhe të qytetarëve në veprat “Pjesëmarrje ose Organizim i Grupit Kriminal”, në lidhje me veprat tjera penale si “Kontrabandim me Mallra”, “Keqpërdorim i Pozitës Zyrtare”, “Dhënie e Ryshfetit”, “Tregti e Ndaluar”, etj.

Komento: