47 kandidatë kanë aplikuar me diploma të falsifikuara në konkursin e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) për pozitën e Manipuluesit të shiritave transportues, hinkës fushore dhe kabinës II.
Skandali i kandidatëve me diploma të falsifikuara në konkursin e KEK-ut bëhet edhe më i thellë me shpërfaqjen e numrave të njëjtë të dosjes së shumicës prej aplikantëve.
Paparaci ka siguruar dokumentin përmes të cilit Shkolla e Mesme Profesionale “Ismail Dumoshi”, si institucion i vetëm në Obiliq në të cilin nxënësit mund të diplomojnë për xehetari, ka vërtetuar se dokumentet që i kanë paraqitur në konkurs nuk janë lëshuar nga ky institucion.
Në këtë dokument vërehet qartë manipulimi në konkurs. Shumica prej kandidatëve mbajnë numrat e njëjtë të dosjeve.
Alban Shabani, Altin Ismajli, Arben Gashi, Blerim Retkoceri, Bujar Ibrahimi, Betim Hajdari, Ekrem Haliti, Fatmir Zhegrova, Kron Sylejmani, Fidan Mjeku, Fisnik Mehmetaj, Jetmir Haliti, Elbasan Mjekiqi, Sherif Mjekiqi, Muhamet Berisha, Faton Llumnica, Hysni Murati, Ilir Krasniqi, Milaim Jerliu, Reshat Mjekiqi, Samir Cakolli dhe Selami Hashani, janë 22 kandidatë të cilët mbajnë numrin e njëjtë të protokollit. Ata kanë numrin 843/II.
Përpos tyre, KEK-u nuk ka arritur ta mbulojë skandalin as me 18 kandidatë tjerë.
Azem Rama, Arsim Grajqevci, Bajram Fetahu, Berat Maloku, Ersan Haradinaj, Isak Bekteshi, Nijazi Cunaku, Dardan Thaci, Shpat Kelani, Berat Maloku, Egzon Bregovina, Muhamet Asllani, Selman Asllani, Gjemajl Rrahmani, Naser Jashari, Festim Mjeku, Liridon Mjekiqi, Resul Berisha, mbajnë numrin e njëjtë të protokollit. Ata kanë numrin 843.
Me diploma të falsifikuara kanë kandiduar edhe Arton Zhegrova, Besim Jashari, Erjon Voca, Njazi Fejza, Vehbi Mushica dhe Visar Hajredinaj, mirëpo që numri i tyre i dosjes nuk është i njëjtë.
Për pozitën e Manipuluesit të shiritave transportues, hinkës fushore dhe kabinës II, kriteret e vetme ishin: Të ketë të kryer shkollën e mesme profesionale – drejtimi i xehetarisë, të ketë integritet, etikë dhe ndershmëri profesionale, dhe të jetë i/e aftë për punë ekipore dhe individuale.
Që ka pasur mashtrime në konkurs e ka konfirmuar edhe drejtori i Shkollës së Mesme Profesionale “Ismail Dumoshi”.
Jakup Hashani, drejtori i shkollës, ka konfirmuar se pas verifikimit të diplomave që ia ka kërkuar KEK-u, kanë figuruar kandidatë të cilët nuk kanë qenë të pajisur me diplomë.
“Po, ka”, ka thënë Hashani shkurtimisht për Paparacin.
Paparaci ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga Drejtoria e Arsimit në Komunën e Obiliqit, megjithatë ata kanë bërë të ditur që të gjitha kompetencat për verifikim i ka Shkolla e Mesme e Lartë Profesionale (SHMLP) “Ismail Dumoshi”
Nga Drejtoria e Arsimit në këtë komunë kanë deklaruar se KEK-u ka kërkuar nga shkolla që të bëhet verifikimi i diplomave për këtë aplikantë.
“Verifikimi është bërë nga shkolla profesionale e cila është kompetente për diplomat dhe regjistrat e nxënësve të rregullt dhe jo të rregull (jo formal), të cilët ndjekin mësimet dhe studimet në këtë shkollë. Institucioni arsimor ShMLP “Ismail Dumoshi” të gjitha të dhënat i ka dërguar me regjistër të specifikuar, te Burimet Njerëzore në KEK, prandaj rreth kësaj çështje ju lutem drejtohuni tek NjBNj në KEK”, thuhet në përgjigjen e DKA-së në Obiliq për Paparacin.
Gazeta Paparaci që nga e hëna ka kërkuar informacion nga KEK-u lidhur me këtë konkurs dhe çështjen e aplikimeve me diploma të falsifikuara. Megjithatë nga ky institucion nuk kanë dhënë informacione as për konkursin dhe as për rezultatet.