Detaje të reja nga i arratisuri i Gjykatës Speciale, flet familja e Remzi Shalës

22:03 | 21 February 2019

Remzi Shala ishte ftuar për intervistim nga Specialja.

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Remzi Shala, i njohur me pseudonimin “Molla e kuqe”, vazhdon të jetë në arrati, përderisa askush nuk tregon për vendndodhjen e tij.

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Remzi Shala, i njohur me pseudonimin “Molla e kuqe”, në dhjetor të vitit të kaluar ishte ftuar nga Gjykata Speciale, shkruan lajmi.net.

Remzi Shala, ishte ftuar nga Gjykata Speciale që të paraqitej më 17 janar të vitit 2019 në këtë gjykatë në Hagë.

Mirëpo, prej momentit kur Shala e ka marrë ftesën nga Gjykata Speciale, ai është arratisur nga Kosova dhe askush nuk tregon asgjë për vendndodhjen e tij.

Përveç ftesës nga Gjykata Speciale, për Shalën edhe Gjykata Themelore në Prizren ka lëshuar urdhër-arrest për krime lufte.

Në lidhje me këtë urdhërarrest është në dijeni edhe pala mbrojtëse e tij mirëpo, ata vazhdojnë të mos e dinë vendndodhjen e tij.

Liridon Bullakaj, bashkëpunëtori i avokatit Natal Bullakaj, ka thënë për lajmi.net, se nuk e dinë vendndodhjen e tij, madje Bullakaj ka thënë se as fëmijët e tij nuk e din se ku ndodhet Remzi Shala.

“Akoma nuk kemi asnjë informacion as ne e as familja e të akuzuarit për vendndodhjen e tij. Para 4-5 ditësh kam pyetur familjarët e zotëri Shalës, përkatësisht djalin e tij se ku ndodhet, por më kanë thënë se nuk e dimë ku ndodhet dhe nuk kemi kontakt me të”, ka thënë Bullakaj për lajmi.net.

Më tutje ai ka thënë se urdhër-arresti që është lëshuar nga Gjykata Themelore e Prizrenit për klientin e tyre edhe Policia e Suharekës është në përcjellje të vazhdueshme për gjetjen e vendndodhjes së tij.

“Ka urdhërarrest në Gjykatën e Prizrenit edhe aty është ndërprerë procedura për shkak se nuk është paraqitur në Gjykatë. Ne nuk e dimë nëse është në Kosovë apo jashtë Kosovës, nuk kemi informacion të sigurt. Thjeshtë e dimë se ka urdhërarrest edhe nga Gjykata e Prizrenit për shkak se edhe nga ana e Policisë në Suharekë kemi marrë informacion se është duke zhvilluar urdhëarrest dhe janë nën përcjellje të vazhdueshme për gjetjen e lokacioneve të mundshme se ku mund të jetë, por nuk kanë as ata ndonjë informacion se ku mund të jetë. A është në Kosovë apo është jashtë Kosovës”, ka treguar Bullakaj.

Në anën tjetër, të afërm të Remzi Shalës që kanë kontaktuar me të, i kanë thënë lajmi.net se Shala nuk e ka ndërmend që t’i përgjigjet Gjykatës Speciale.

“Sa i përket vendndodhjes nuk mund t’ua konfirmoj vendin. Vetëm se është jashtë Kosovës dhe nuk e ka ndërmend t’i përgjigjet Gjykatës Speciale”, ka thënë ky i afërm i Shalës për lajmi.net.

Ndryshe, Ligji për Gjykatën Speciale parasheh edhe ndëshkim për të gjithë ata që nuk i përgjigjen ftesës së kësaj gjykate.

Neni 42 i Ligjit Special tregon qartë për çështjen e thirrjeve të dëshmitarëve dhe pasojat e dështimit të paraqitjes kur thirret.

Në nenin 42 të Ligjit Dhomat e Specializuara dhe Ligjin për Prokurorinë e Specializuar, ndër të tjera thuhet se të gjithë ata që nuk i binden thirrjes mund të përballen me gjoba të ndryshme.

Kjo më së miri specifikohet në pikën 7, 8 dhe 9 të këtij neni.

7. Nëse dëshmitari që është thirrur në mënyrë të rregullt nuk paraqitet ose nuk e arsyeton mosparaqitjen e tij ose në qoftë se ai largohet nga vendi ku ai duhet të merrej në pyetje pa leje apo ndonjë arsye të vlefshme, ai dëshmitar mund të detyrohet të paraqitet dhe mund të gjobitet deri në dyqind e pesëdhjetë (250) euro për secilën herë që ai ose ajo nuk paraqitet.

8. Nëse dëshmitari paraqitet pasi të jetë thirrur por pasi paralajmërohet për pasojat refuzon të dëshmojë pa arsyetim ligjor, ai mund të gjobitet deri në dyqind e pesëdhjetë (250) euro. Nëse dëshmitari refuzon të dëshmojë edhe pasi të jetë gjobitur, ai mund të burgoset. Burgimi zgjat për aq kohë sa dëshmitari refuzon të dëshmojë apo derisa dëshmimi i tij bëhet i panevojshëm, ose derisa procedura penale të përfundojë, por nuk e tejkalon periudhën prej një (1) muaji.

9. Ankesa kundër aktvendimit me të cilin shqiptohet dënimi me gjobë ose me burgim sipas këtij neni vendoset nga Paneli i Gjykatës së Apelit. Ankesa kundër aktvendimit për burgim nuk e pezullon ekzekutimin e aktvendimit. Dënimi sipas paragrafëve 7 dhe 8 të këtij neni shqiptohet nga një gjyqtar”, thuhet ndër të tjerash në nenin 42 të këtij ligji, raporton lajmi.net.

Ndryshe, kanë kaluar gati një muaj që nga koha kur Remzi Shala, në luftë i njohur si komandant “Molla e Kuqe”, u arratis nga Kosova menjëherë pas ftesës së Gjykatës Speciale.

Shala, nën pretekstin se lufta e tij ishte e drejtë, kishte thënë se nuk do t’i përgjigjet kësaj Gjykate.

Komento: