Detaje të reja nga rasti tragjik në hotel ‘Venus’, ky është personi që e pa tmerrin me sy

17:36 | 28 Dhjetor 2023

Detaje të reja nga rasti tragjik në hotel ‘Venus’, ky është personi që e pa tmerrin me sy.

Hotel ‘Venus’ në magjistralen Prishtinë – Lipjan në orët e para të ditës së sotme u shndërrua në skenë krimi. Njëra nga mysafiret që po qëndronte në këtë hotel, Artila Kameri, 34-vjeçare, ka humbur jetën tragjikisht, pasi e njëjta dyshohet se ka kërcyer nga ballkoni në katin e dytë. Vdekjen e saj e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes, teksa Policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e rastit, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali ka mësuar detaje ekskluzive nga ngjarja e rëndë, ku sipas informacioneve të para, e ndjera ishte e shoqëruar në hotel nga një person.

Burimet bëjnë me dije se bëhet fjalë për Asdren Begolli, 32-vjeçar nga Peja.

Por si ndodhi ngjarja tragjike?

Rreth orës 03:30 tashmë e ndjera, Artila Kameri dhe Asdren Begolli, dyshohet të jenë përfshirë në një konflikt verbal me njëri-tjetrin.

Si rrjedhojë, 34-vjeçarja dyshohet se ka kërcyer nga tarraca e hotelit dhe si pasojë ka marrë lëndime të rënda trupore që rezultuan të jenë fatale për të.

Ekipi mjekësor i Emergjencës ka dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë hasur në trupin e viktimës dhe pas ekzaminimeve për shenjat vitale kanë konstatuar vdekjen e saj.

Lidhur me rastin nga Policia thanë për Sinjalin se me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

“Aktualisht policia në koordinim me Prokurorinë ka nisur dhe po ndërmerr të gjitha veprimet e duhura hetimore që do të ndihmonin hetimin dhe sqarimin e rastit, ndërkohë që trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion”, tha zëdhënësja, Flora Ahmeti.

Ndërkohë Sinjali ka kontaktuar edhe hotelin ‘Venus’ për të marrë një prononcim lidhur me rastin, mirëpo të njëjtit kanë refuzuar të flasin, duke thënë se për çdo informatë duhet të kërkohet nga Policia.

Komento: