Detaje të reja: Njëra nga kartelat bankare të vjedhura në banesën e ministres Hajdari është e MINT

11:08 | 02 Tetor 2023
detaje-te-reja:-njera-nga-kartelat-bankare-te-vjedhura-ne-banesen-e-ministres-hajdari-eshte-e-mint

Gazeta Sinjali raportoi sot ekskluzivisht se ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka qenë cak i vjedhjes në orët e mëngjesit të së dielës, në banesën e saj në rrugën “Vicianum” në Prishtinë. Prokuroria tashmë ka nisur hetimet pas denoncimit të ministres, ndërkohë që mediumi ka publikuar të gjitha detajet që dihen deri më tani.

Rasti është konfirmuar edhe nga policia, por nuk janë dhënë detajet e tjera.

“Ankuesja femër kosovare ka informuar se persona të panjohur kanë depërtuar në banesën e saj dhe nga aty kanë kryer vjedhje. Lidhur me rastin janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për procedura të mëtejme hetimore”, thuhet në raport.

Përveç stolive në vlerë të 2 mijë e 500 euro, Hajdari ka raportuar se i janë vjedhur kartelat bankare, disa prej tyre të motrës, si dhe një kartelë bankare e saj, pronë e MINT-it.

Mediumi ka tentuar të marrë një deklaratë edhe nga vet ministrja, por e njëjta nuk është përgjigjur në thirrjet e redaksisë.

Si ndodhi gjithçka në pikë të mëngjesit?

Vjedhja dyshohet se është kryer rreth orës 07:00 të mëngjesit, kur personi i dyshuar ishte futur në banesën e ministres dhe ua vuri syrin gjësendeve me vlerë e dokumenteve të Hajdarit.

Ndonëse nuk dihet se si arriti të futej në banesë, nëse dera ishte e hapur apo hajni posedonte çelës të banesës, i dyshuari teksa po kryente vjedhjen ia “prishi” gjumin ministres dhe e njëjta e kapi në flagrancë.

Por Hajdari nuk arriti ta ndalojë, pasi hajni u zhduk para syve të saj, bashkë me stolitë në vlerë të rreth 2500 eurove, që dyshohet se hajni arriti t’i gjejë në banesën e saj.

Sipas të njëjtave burime, përveç stolive të vjedhura, në dëshminë që ministrja ka dhënë para hetuesve policorë, kuptohet se hajduti ia ka vjedhur edhe disa dokumente personale, që përfshijnë kartela bankare – madje edhe të MINT.

Raportimi i rastit vuri në lëvizje njësitë përkatëse, që kryen ekzaminimet e nevojshme në banesën e Hajdarit dhe pas dhënies edhe të deklaratës së saj, është vënë në dijeni Prokurori i Shtetit.

Me vendim të tij, është iniciuar hetim në drejtim të veprës penale “Vjedhje e rëndë” dhe është urdhëruar ndërmarrja e të gjitha veprimeve të nevojshme për identifikimin dhe kapjen e personit të dyshuar.

 

Komento: