Detaje të reja për aksidentin e tmerrshëm në Fushë Kosovë, identifikohet polici i arrestuar

14:48 | 24 Qershor 2024
detaje-te-reja-per-aksidentin-e-tmerrshem-ne-fushe-kosove,-identifikohet-polici-i-arrestuar

Tarik Kurgash, një polic i gjeneratave të reja të Policisë së Kosovës, është i arrestuari nën dyshimet për shkaktimin e aksidentit me fatalitet në Fushë Kosovë të shtunën në mbrëmje.

Kurgash po voziste njërën nga pesë veturat të cilat u përfshin në aksidentin që ndodhi në magjistralen Fushë Kosovë-Prishtinë, konkretisht në afërsi të qendrës tregtare ‘Central Park’.

Ai dyshohet se ishte shkaktari i aksidentit, ka thënë të dielën Inspektorati Policor i Kosovës në një njoftim për media.

IPK-ja tha se e ka arrestuar oficerin policor dhe se i njëjti është ndaluar për 48-orë.

“Bazuar në veprimet hetimore dyshohet se shkaktar i aksidentit është zyrtari policor i cili është arrestuar sot në orët e mbrëmjes me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale ‘rrezikim i trafikut publik’”, tha IPK-ja.

Gjashtë persona u lënduan nga përplasja mes pesë veturave dhe njëri prej tyre nga vdiq në Qendrën Klinike Universitare, ku u dërgua me urgjencë pas lëndimeve të marra, por nuk iu shpëtojë atyre.

Viktima, një burrë me inicialet Sh.S, i takon moshës 33 vjeçare, tha Policia të dielën në mbrëmje.

Ndërsa sot janë zbardhur të tjera detaje për ngjarjen e rëndë. Policia tha se oficeri policor, i cili dyshohet se e shkaktoi aksidentin, po e voziste një veturë me targa të huaja.

“Ka ndodhë aksident trafiku rrugor me fatalitet në të cilin kanë qenë të përfshira pesë automjete, katër me targa vendore me ngasës meshkuj kosovar dhe një me targa të huaja me ngasës mashkull kosovar zyrtar policor jashtë detyrës zyrtare”, tha Policia në raportin 24-orësh.

Veprime të tjera është njoftuar se do të ndërmerren në përputhje me autorizimet ligjore të IPK-së dhe në koordinim me prokurorinë kompetente.

Komento: