Detajet të reja për zgjatjen e afatit të pagesave për detyrimet tatimore

11:21 | 20 March 2020

Ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi ka sqaruar se me vendimin për zgjatjen e afatit për dorëzimin e deklaratave, raporteve dhe pagesave të detyrimeve tatimore, si dhe trajtimin dhe vendosjen lidhur me kërkesat për rimbursime, që ndërlidhen me zbatimin e legjislacionit tatimor në fuqi deri më 30 prill të këtij viti, mund të përfitojnë tatimpaguesit e sektorit privat dhe ndërmarrjet publike, por jo institucionet tjera të sektorit publik.

MFT, këtë vendim e ka marrë me 19 mars të këtij viti dhe sipas këtij vendimi, nga kjo shtyrje mund të përfitojnë të gjithë tatimpaguesit të sektorit privat, pa përfshirë sektorin publik.

“Në këtë kontekst duhet sqaruar se tatimpaguesit e sektorit publik që nuk përfitojnë nga kjo zgjatje janë autoritetet publike – pra një autoritet publik qendror, rajonal, komunal apo lokal, organ publik, ministri, departament apo autoritet tjetër që ushtron pushtet publik ekzekutiv, legjislativ, rregullator, administrativ apo juridik, në kuptim të nenin 1, paragrafi 1.3. i Ligjit Nr. 03/L-222 për Administratën Tatimore dhe Procedurat, i plotësuar dhe ndryshuar. Ky definicion nuk përfshinë ndërmarrjet publike, të cilët plotësisht përfitojnë nga lehtësimet e krijuara nga ky vendim”, thuhet në komunikatë.

Masat në fjalë janë ndërmarë për shkak të situatës së përhapjes së koronavirusit, teksa në Kosovë janë konfirmur deri tash 21 raste me COVID-19.

Komento: