Detyrohet ta shes viçin, pasi hoxha nuk ia fal xhenazën e nënës pa paguar anëtarësimin në BIK

22:04 | 04 February 2019

Bashkësia Islame në Vushtrri nuk ia varrosi nënën sepse nuk kishte paguar anëtarësimin.

Sabri Beqiri nga Akrshtica e Vushtrrisë jeton në varfëri të skajshme.

Dy ditë më parë nëna e tij humbi jetën, ndërsa Bashkësia Islame në Vushtrri e detyroi të paguajë për anëtarësi shumën prej 417 eurove.

Kryefamiljari u detyrua të shesë viçin në mënyrë që nëna e tij të varrosej sipas ritit islam, ani pse klerikët fetarë kanë thënë se këto raste janë të liruara nga pagesa.

“U thash se nuk e di çka me bo. Nana duhet mu varros, mu kry këto procedura. Më tha a ke pagu anëtarësi ndonjëherë, i thash jo valla kurrë, se s’kom pas mundësi. Tha s’janë pare shumë. Tha po jeni kundër fesë, i thash larg asaj po çfarë. Tha jo valla s’bon hiç. Tha, sa fëmijë i ki, i kallëzova i thash gjashtë, Sa anëtarë jeni krejt, i kallëzova, 11 anëtarë. I shkrujti në libër, më tha zotni po më vjen keq po i ki 417 euro me pagu për anëtarësi për 11 anëtarët”, ka thënë Sabri Beqiri.

Në pamundësi që ta paguajë këtë shumë të parave, ai u detyrua që ta shesë viçin dy muajsh, për ta paguar anëtarësinë në mënyrë që nëna e tij të varroset sipas ritit islam.

“U duft me shit viçin. Ditë e xhuma u kanë, ditë tregu e bagëtive. Shkum e shitëm viçin, ai dy muj i ka pas, ma shumë s’ka pas. Me killë e shitëm, ka 3.30, erdh 119 killa, pare bojshin 392, qato pare i kisha, tjera s’kisha”, ka thënë ai.

Në Bashkësinë Islame nuk kanë pranuar të flasin. Nasuf Bivolaku, i cili është përgjegjës për pagesat e anëtarësisë ka thënë se nëpërmjet telefonit se ai nuk është përgjegjës për këtë rast, sepse ai, sipas tij, vetëm e ka kryer punën sipas rregullave.

Ndërkaq kryeimami i Bashkësisë Islame në Vushtrri, Shemsi Rrahimi, nuk ka dashur që ta komentojë këtë rast. Ndërsa Sabri Bajgora, kryeimam në Bashkësinë Islame ka thënë nëpërmjet telefonit se këto raste janë të liruara nga pagesa, duke mos dashur që ta komentojë rastin në fjalë./ RTK

Komento: