Devolli kaq milionë euro çdo vit merr nga homologimi i veturave

11:55 | 22 June 2019

Ja sa milionë euro i merr çdo vit Devolli nga homologimi i veturave.

Hiç më pak se 26 milionë euro qytetarët e Kosovës i kanë paguar në 10 vitet e fundit për homologimin e veturave.

Të gjitha këto para kanë shkuar në llogari të kompanisë “Eurolab”, e cila menaxhon me Qendrën e Automjeteve të Kosovës (QAK), në pronësi të Blerim Devollit, që mbanë monopolin e homologimit të automjeteve në tregun e Kosovës, shkruan Gazeta inFokus.

Secili qytetarë që ka importuar veturë nga ndonjë vend tjetër në Kosovë, është dashur të paguaj hiq më pakë se 125 euro në emër të homologimit, proces ky i vlerësuar si i pa nevojshëm edhe nga përfaqësuesit e Bashkimit evropian në Kosovë.

Për këtë ka reaguar edhe Ambasadori gjerman, Christian Heldt, i cili nuk e kupton logjiken pse pa asnjë nevojë veturat e reja që vinë nga Evropa duhet të kontrollohen edhe njëherë nga një ‘monopol lokal’.

“Vetëm një ambasador i gjorë që po provojë të kuptojë logjikën se si shkojnë procedurat: Veturat e reja nga Evropa importohen në Kosovë me dokumente të kompletuara për homologim. Por pastaj, gjithçka duhet të kontrollohet edhe njëherë nga një monopol lokal që duhet të paguhet më shtrenjtë në gjithë BE’në??”, kishte shkruar Heldt.

Një praktikë e tillë, në Kosovë zbatohet që nga viti 2009 sipas vendimit të ish- ministrit të Transportit, Fatmir Limaj dhe zëvendësit të tij, Adem Grabovci.

Që atëherë sipas statistikave të Doganave të Kosovës, në Kosovë kanë hyrë rreth 212 mijë vetura të cilat i janë nënshtruar procesit të homologimit.

Madje, Qeveria e Kosovës ka vendosur t’ia vazhdoi edhe për dhjetë vitet e ardhshme këtë monopol të njëjtës kompani.

Kundër ka dalur shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, ambasadorja Nataliya Apostolova, sipas të cilës ky vendim është kundër rregullave të Bashkimit Evropian dhe Marrëveshjës së Stabilizimit të Asocimit.

“Ne jemi të brengosur për këtë monopol, sepse ka një udhëzim administrativ i cili ka rekomanduar zbatimin e ligjit… Kemi frikë se kjo kontratë do të vazhdohet automatikisht. Qytetarët po paguajnë çmime më të larta, po detyrohen të vijnë vetëm në Prishtinë të paguajnë 125 euro për homologim. Kjo është një barrierë për veturat”, u ka thënë deputetëve Apostolova.

Ajo ka bërë të ditur se BE ka brengë për këtë, sepse është kundër rregullave të BE dhe MSA.

Sipas rregullave në fuqi, kosovarët po detyrohen që t’i fusin në këtë procedurë edhe veturat e reja që importohen në Kosovë.

Që nga viti 2015 në Kosovë kanë hyrë 11,192 mijë vetura të reja.

Të gjithë këto i janë nënshtruar këtij procesi.

Por çfarë është homologimi i automjeteve:

“Homologimi është një procedurë, me të cilën vërtetohet përputhshmëria apo përshtatshmëria e pjesëve te veçanta te automjetit si teresi, bazuar ne kriteret, te cilat parashtrohen nga organet e ndryshme rregullatore te nje vendi.

Përmes homologimit të automjeteve, respektivisht pjesëve të caktuara në automjet, testohen pajisjet qe kanë rëndësi për funksionimin e sigurt dhe ekologjik te automjetit . Në lëmin e sigurisë testohen pajisjet me rendësi për sigurinë aktive te automjetit (psh. frenat, mekanizmi drejtues , gomat, dritat, pajisjet sinjalizuese, pajisjet ndihmëse etj.), dhe për sigurinë pasive te automjetit (psh. rripat e sigurisë, xhamat e sigurisë, zvogëlimi i rrezikut nga zjarri, pajisjet e brendshme te automjetit etj.) si dhe kërkesat e përgjithshme te sigurisë (psh. mbrojtja nga përdorimi i paautorizuar, shpejtësi matesi, matësi i shpenzimit te karburantit etj.)”, kështu përshkruhet procesi i homologimit në “Eurolab”.

Importi i veturave ndër vite dhe shuma e paguar për homologim

2009 janë importuar 15,392 vetura = 1,924 000 euro

2010 janë importuar 13,523 vetura = 1,690375 euro

2011 janë importuar 19,891 vetura = 2,486375 euro

2012 janë importuar 21,781 vetura = 2,722625 euro

2013 janë importuar 18,297 vetura = 2,287125 euro

2014 janë importuar 17,747 vetura = 2, 218375 euro

2015 janë importuar 19,256 vetura = 2,407000 euro

2016 janë importuar 26,585 vetura = 3,323125 euro

2017 janë importuar 30,370 vetura = 3,796250 euro

2018 janë importuar 20,689 vetura = 2,586125 euro

2019 janë importuar 86,99 vetura = 1,087375 euro

TOTAL: 26,528,750 euro.

Komento: