Dhoma Ekonomike e Grave të Kosovës bën thirrje për përgjegjësi politike për të ruajtur stabilitetin ekonomik

09:30 | 05 Mars 2026
dhoma-ekonomike-e-grave-te-kosoves-ben-thirrje-per-pergjegjesi-politike-per-te-ruajtur-stabilitetin-ekonomik

Dhoma Ekonomike e Grave të Kosovës (G7) shpreh shqetësimin e saj lidhur me situatën aktuale në procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës, duke u bërë thirrje të gjitha subjekteve politike që të veprojnë me përgjegjësi dhe të marrin parasysh pasojat ekonomike të kësaj situate.

”Në një periudhë kur ekonomia e Kosovës përballet me sfida të shumta, përfshirë rritjen e kostove të energjisë dhe presione të tjera ekonomike globale, vendi ka nevojë për stabilitet institucional dhe vendimmarrje të qëndrueshme, e jo për procese të reja zgjedhore që mund të thellojnë pasigurinë ekonomike. Organizimi i zgjedhjeve të reja do të përbënte një barrë të konsiderueshme për buxhetin e shtetit, ndërkohë që vëmendja institucionale duhet të përqendrohet në mbështetjen e sektorit privat, zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e kushteve për bizneset”, thuhet në reagimin e Dhomës Ekonomike të Grave të Kosovës.

Tutje bëhet e ditur se pasiguria politike dhe institucionale rrezikon të ndikojë stabilitetin ekonomik të vendit, funksionimin efektiv të institucioneve publike dhe sigurinë financiare të bizneseve dhe ekonomive familjare.

”Ndërmarrjet mirko, të vogla dhe të mesme, veçanërisht bizneset në pronësi të grave dhe  bizneset familjare, janë më të cenueshmet ndaj paqëndrueshmërisë ekonomike, pasi ato operojnë me rezerva të kufizuara financiare dhe janë më të ekspozuara ndaj rritjes së çmimeve të energjisë, rritjes së kostove operative dhe pasigurisë në treg. Stabiliteti politik dhe funksionimi i institucioneve janë parakusht për stabilitetin ekonomik të vendit. Bizneset kanë nevojë për institucione funksionale dhe politika të qëndrueshme për të vazhduar aktivitetin e tyre dhe për të ruajtur vendet e punës. Në këtë kontekst, G7 u bën thirrje të gjitha partive politike që të gjejnë zgjidhje përmes dialogut dhe bashkëpunimit të sigurojnë funksionimin normal të institucioneve të vendit, dhe të shmangin situata që mund të çojnë vendin në zgjedhje të reja,duke vendosur interesin ekonomik të Kosovës dhe mirëqenien e qytetarëve mbi dallimet politike”, thuhet ndër tjera në reagimin e Dhomës Ekonomike të Grave të Kosovës.

Komento: