
Ministria e Arsimit ka reaguar pas rastit të raportuar të dhunës në shkollën “Pavarësia” në Prishtinë, duke theksuar se dhuna në çfarëdo forme është e papranueshme dhe nuk ka vend në institucionet arsimore, shkruan Gazeta 10.
Në një deklaratë zyrtare, Ministria vlerëson se shkolla duhet të jetë hapësirë e sigurt për nxënësit dhe mësimdhënësit, ku mbizotërojnë respekti, dialogu dhe mirëkuptimi. Sipas ministrisë, rastet e fundit tregojnë se dhuna nuk prek vetëm nxënësit, por edhe mësimdhënësit, stafin, prindërit dhe gjithë komunitetin shkollor, duke cenuar sigurinë dhe dinjitetin e të gjithëve.
Ministria thekson se përgjegjësia për edukimin dhe mirëqenien e fëmijëve është e përbashkët dhe kërkon bashkëpunim të vazhdueshëm mes prindërve dhe institucioneve arsimore. Vetëm përmes komunikimit dhe angazhimit të ndërsjellë, mund të krijohet një mjedis i sigurt dhe mbështetës për nxënësit, thuhet në reagimin e Ministrisë, shkruan Gazeta 10.
Në deklaratë bëhet e ditur se janë ndërtuar mekanizma të qartë ligjorë dhe institucionalë për parandalimin dhe trajtimin e dhunës në shkolla, ndërsa çdo rast duhet të raportohet në Sistemin për Menaxhimin e Informatave në Arsim. Mosraportimi i rasteve konsiderohet shkelje e drejtpërdrejtë e obligimeve institucionale.
Ministria nënvizon se Drejtoritë Komunale të Arsimit mbajnë përgjegjësi kyçe në këtë proces. Sipas saj, Drejtoria Komunale e Arsimit në Prishtinë ka obligim ligjor për zbatimin e masave edukativo-arsimore dhe çdo neglizhencë apo mosveprim përbën dështim institucional me pasoja të drejtpërdrejta në shkolla.
Pas raportimeve mediale për rastin në shkollën “Pavarësia”, Inspektorati i Arsimit ka dalë në terren dhe ka kryer inspektim, në koordinim me Policinë e Kosovës dhe institucionet përkatëse. Të gjitha gjetjet që bien në kompetencën e tij, sipas Ministrisë, do të trajtohen pa kompromis dhe do të pasohen me veprime konkrete.
Ministria thekson se parandalimi i dhunës nuk është çështje deklaratash, por veprimi, duke kërkuar reagim të menjëhershëm dhe zbatim rigoroz të ligjit nga të gjitha palët përgjegjëse.
“Siguria në shkolla nuk është opsion, është obligim”, thuhet në fund të reagimit, ku riafirmohet përkushtimi për forcimin e mekanizmave që promovojnë komunikimin, menaxhimin e konflikteve dhe mbrojtjen e mirëqenies së të gjithë pjesëmarrësve në procesin arsimor./Gazeta10
Deklarata e plotë: